Alpet të preferuara për ekskursione dhe ngjitje alpine

Reporteri i DW, Benjamin Restle, përshkoi këtë verë Alpet me një grup alpinistësh. Pikërisht këtu pasojat e ndryshimeve klimatike janë të prekshme dhe nganjëherë të rrezikshme.

Është një mëngjes korriku pak para orës nëntë, kur fillon aventura e kalimit nëpër Alpe. Babai im, unë dhe disa entuziastë të sporteve alpine kemi ardhur në Wildental të Austrisë për t`u vënë përballë kësaj sfide. Rruga jonë do të ketë disa etapa e do të na çojë përmes Tirolit në Italinë e Veriut. Destinacioni ynë është qyteti termal Merano, “perla e Tirolit të Jugut”, që pati magjepsur dikur perandoreshën e Austrisë, Sissi.

Udhërrëfyesi ynë Ludwig Pittl, një mjek në pension me sy blu të ndritshëm dhe një buzëqeshje të rafinuar, do të na shoqërojë për gjashtë ditë. Luggi, siç e thërrasin miqtë, vjen nga një fshat pranë Insbrukut dhe ka ecur në male që në moshë të re.

Nisemi me kepucët alpine të lidhura fort, me çantat e lehta në kurriz dhe me shishe uji të mbushura plot. Nga qielli pa re na buzëqesh dielli. Lugina shkëlqen me një gjelbërim të harlisur. Syri të sheh livadhe të sapokositura dhe pisha të errëta. Një varg malor i fuqishëm ngrihet në horizont.

Atmosfera është e çlirët dhe ne hyjmë shpejt në bisedë me pjesëtarët e tjerë të grupit. Shumë janë pensionistë dhe kanë përvojë me ngjitjen në mal, ndërsa babai im dhe unë jemi alpinistë fillestarë.

Marrim kthesën në një shteg me gurë dhe hije dhe ndjekim rrjedhën e përroit, Wildenbach. Përveç zhurmës së ujit, kërcitjes së guriçkave nën këmbë dhe cicërimave sporadike të zogjve, asgjë nuk dëgjohet.

Bllokim i trafikut në mal

Po këtë idil nuk do ta kemi shumë kohë vetëm për vete. Vazhdimisht takojmë grupe të tjera alpinistësh dhe ekskursionistë me biçikleta elektrike. Pak më vonë, kur nisim ngjitjen e parë, na duhet të ndalojmë. Dhjetëra alpinistë amatorë, shumë edhe nën mbikëqyrjen e një udhërrëfyesi, luftojnë ngadalë me ngjitjen. Por për shkak se shtegu malor është i ngushtë dhe shpatet janë të pjerrëta, është i pamundur parakalimi.

Në mesditë arrijmë më në fund në një kasolle malore në rrëzë të malit Großer Widderstein. Mundimi ia ka vlejtur. Nga këtu shpaloset panorama e Alpeve të Lechtal-it deri poshtë në luginë. Është koha për të pirë një pije freskuese dhe për të ngrenë diçka për të marrë veten.

Ndryshimi i klimës kërcënon turizmin malor

Por e ardhmja e bujtinave të tilla malore për alpinistë është gjithnjë e më e pasigurtë. Shkak është ndryshimi i klimës, thotë Tobias Hipp nga Klubi Gjerman i Alpeve. Hipp është ekspert për akujt, ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e natyrës. Ai ka kryer doktoraturën për efektin e ndryshimeve klimatike në zonat alpine me permafrost.

Pasojat e ngrohjes globale dallohen “në mënyrën më flagrante” në Alpet Evropiane. Shembulli më i qartë është shkrirja e akullit, “gjatë dhjetë viteve të fundit atje kemi pasur një rënie ekstreme, mesatarisht 20, 30 metra çdo verë në Alpet lindore, pra në Austri dhe Italinë veriore”, thotë Hipp.

Akujt e maleve janë rezervuarë të rëndësishëm uji. Nëse ato shkrihen, pasojat janë të rënda. “Sigurisht që kjo ka ndikim në bujtinat malore dhe furnizimin e tyre me ujë. Shumë burime në malet e larta ushqehen nga akujt, dhe atje ne patëm mungesë uji”, thotë Hipp. Problemi është i dukshëm sidomos në Pasterze, akujt më të mëdhenj dhe më të gjatë të Austrisë në malin Großglockner.

Por edhe shtigjet e ngjitjes janë të kërcënuara nga ndryshimet e klimës. Shkrirja e akujve për shembull lë pas rrëpira me gurishte, që mund të sjellin rrëzimin më të shpeshtë të shkëmbijve. Kjo gjë rrezikon edhe rrugët e ecjes në lartësi më të ulëta. Po aq e rrezikshme është edhe shkrirja e vazhdueshme e permaforsti-t (ngricës së përhershme), që i mban së bashku si një stuko formacionet shkëmbore. Nëse ngrica zbutet, mund të ndodhin rrëzime masive malore, siç ndodhi së fundmi në Flüchthorn në kufirin mes Austrisë dhe Zvicrës, ku u shkëput rreth një milion metër kub shkëmb.

Megjithëse rrëshqitje gurësh dhe dheu ka pasur gjithmonë, ngrohja globale duket se rrit intensitetin dhe frekuencën e tyre. Friedl Knönauer, një alpinist i pasionuar nga Bund Naturschutz e.V në Bavari, mendon se në të ardhmen “disa shtigje ngjitjeje në zona të caktuara nuk do të mbahen dot më”. Qëndrimi i tij është sa pragmatik aq edhe fatalist: “Kjo ngrohje klimatike do të sjellë ndryshime dhe ne duhet të përshtatemi”. Knönauer nuk e çmon ndërhyrjen në natyrë për t’i bërë sërish të aksesueshme rrugët e pakalueshme, si për shembull duke përdorur ura të varura në kabllo. “Duhet ta lini natyrën të jetë natyrë”, thotë ai.

Etapa e fundit

Megjithatë në rrugën tonë pak gjëra dëshmojnë për rreziqet në rritje të turizmit alpin. Përveç një shenje të vetmuar përgjatë shtegut të lartë të Meranos, që paralajmëron për rrezikun e rrëzimit të shkëmbijve, pasojat e ngrohjes globale në ekosistemin alpin dhe turizmin mund të shpërfillen lehtësisht.

Ne ndjejmë eufori në ditën e fundit të ekskursionit tonë gjashtëditor, gjatë të cilit kemi ecur 45 kilometra, megjithëse disa distanca i kemi mbuluar edhe me autobus dhe taksi. Tani ndodhemi rrugës për në Merano. Pas disa orësh, pasi kemi arritur t`i ngjitemi një të përpjete prej 500 metrash me shumë vështirësi teknike dhe fizike, mbërrijmë në bujtinën Talbauer në 1200 metra lartësi, të rraskapitur, të djersitur, por të gëzuar. Me pije të ftohta në duar shijojmë panoramën e gjerë mbi Merano dhe në luginën Adige.

Më pas zbresim me teleferik në Merano. Në qendrën e qytetit të vjetër hamë nga një akullore. E kemi merituar pas gjithë atyre strapacimeve. DW

SHKARKO APP