Altin Hazizaj: Ja e vërteta e arrestimit tim
Pas deklaratave publike të Partisë Demokratike se kandidati i përzgjedhur për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor ka qenë i dënuar, ka reaguar vetë Altin Hazizaj. Kështilltari i PD Gazment Bardhi tha sot se: “Altin Hazizaj ka depozituar deklarate ku deklaron se nuk ka qene i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë. Është deklarate e rreme sepse sipas shkresës së Drejtorisë së Burgjeve dhe Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se Altin Hazizaj është dënuar dy here me vendim te formës se prerë për dy vepra penale”.
Hazizaj u përzgjedh dje me short nga shoqëria civile për anëtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në reagimin e tij në Facebook, Hazizaj deklaron se ka qenë dënuar gjatë kohës që ka qenë gazetar. Ndërkohë prokurorja Rovena Gashi në materialin që i ka dërguar Kuvendit thotë se vepra penale për të cilën është dënuar Hazizaj nuk e ndalon të kandidojë, por ajo që prokurorja cilëson si shkelje është fakti se Hazazaj nuk e ka deklaruar këtë dënim në formularin e tij.
Ja deklarata e plotë e Hazizajt: “Ka disa ceshtje qe nuk duhen bere asnjehere politike, por qe me c’duket nuk i shpetuam dot. Per te gjithe miqte dhe koleget gazetare, qe i falenderoj per korrektesine ne raportim keto dy dite, ky lajm dhe link do t’i ndihmojne per te kuptuar dhe sqaruar te verteten! Organizatat me prestigjoze te te drejtave te njeriut dhe te te drejtave te gazetareve, shkruajne per Altin Hazizaj, ne ate kohe nje gazetar 22 vjecar, qe luftonte me nje sistem autoktratik qe kishte kufizuar cdo liri te njeriut! Ky eshte fakti ne nje nder periudhat me te errta te historise se Shqiperise! Pjesa tjeter eshte politike dhe une nuk kam aplikuar per politikan, por per nje njeri qe kerkon te ndryshoje perfundimisht drejtesine ne kete vend!
Janar 31. Altin Hazizaj, Koha Jone, I BURGOSUR
Hazizaj, nje gazetar i gazetes me te madhe te perditshme te pavarur , Koha Jone, u arrestua dhe u akuzua per mos bindjen ndaj urdhrave te policise teksa po perpiqej te hynte ne nje ndertese.
Hazizaj po raportonte nje perpjekje te policise per te larguar me force ish te burgosurit politike, te cilit kishin banonin ne menyre te paligjshme ne nje ndertese te paperfunduar ne Tirane. Ne skenen e ngjarjes policia sekuestroi filmin dhe apartatin fotografik te fotografit Genc Shkullaku.
Ne 2 Shkurt , pasi CPJ dhe nje sere organizatash nderkombetare protestuan per ndalimin e tij, Hazizaj u la i lire me vendim gjykate. Hetimet ndaj gazetarit vazhdojne dhe ai duhet te raportoje tek autoritetet dy here ne jave!” shprehet Hazizaj.
DOKUMENTI I PROKURORISE PER ALTIN HAZIZAJ
Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme në kohën kur insititucioni drejtohej nga Rovena Gashi ka dorëzuar në Kuvend dokumentin e mëposhtëm, i cili dëshmon se Hazizaj mohoi të jetë dënuar më parë nga gjykata në formularin e vetëdeklarimit:
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE JURIDIKSIONALE ME JASHTË SEKTORI I VERIFIKIMIT TË INTEGRITETIT
V E N D I M “Për miratimin e rezultateve të verifikimit, në zbatim të ligjit Nr. 138/2015”
Në Tiranë sot më 26.07.2017
Unë Rovena GASHI, me detyrë Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, në zbatim të Ligjit Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, neni 8, pika 2, si dhe të Vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Nr. 17/2016, kreu V, pika 10, 11, pasi shqyrtova aktet e verifikimit datë 13.07.2017 të shtetasit Altin Hazizaj kandidat për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga shoqëria civile:
K O N S T A T O V A SE:
Në mbështetje të nenit 56 të ligjit Nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me shkresën Nr. 1790/8 Prot, datë 12.07.2017, ka përcjellë formularin e vetëdeklarimit të plotësuar nga kandidati për anëtar i KLGJ-së nga shoqëria civile, për t’u verifikuar në Prokurorinë e Përgjithshme, në zbatim të Ligjit Nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Sektorit i Verifikimit të Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, studioi kërkesën dhe kreu verifikimet përkatëse nga të cilat rezultoi se:
Subjekti deklarues Altin Hazizaj ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit në zbatim të Ligjit Nr.138/2015, në të cilët në pyetjen 5 të formularit ka deklaruar se ndaj tij ka pasur një masë sigurimi personale në shkurt të 1996 për veprën penale të parashikuar nga neni 120 i Kodit Penal, “Shpifja”. Ky ndalim është hequr me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Nga “Sektori i Verifikimit të Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” me shkresën Nr. 2037/4 prot., datë 14.07.2017 i është kërkuar informacion për gjendjen gjyqësore Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kurse me shkresën Nr. 2037/2 prot, datë 14.07.2017, është kërkuar informacion në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Nga përgjigjet e ardhura dhe verifikimet e kryera rezulton se për subjektin Altin Hazizaj ka një dënim penal të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Subjekti me vendimin nr. 603 datë 24.07.1996 është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me 5000 lekë gjobë për veprën penale të parashikuar nga neni 236/1 i Kodit Penal “Kundërshtimi i punonjësve të policisë dhe rendit publik”. Këto të dhëna janë të pasqyruara dhe në Dëshmitë e Gjendjes Gjyqësore Nr. 11, datë 20.07.2017, përcjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me shkresën nr. 3219 prot. datë 20.07.2017.
Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, rezulton subjekti vetëdeklarues ka të njëjtat gjeneralitete të cilat i ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Në këtë sisitem nuk rezulton që ky subjekt të ketë qenë ndaluar/arrestuar/ hetim nga organet ligjzbatuese për kryerjen e ndonjë vepre penale. Në sistemin elektronik të Gjendjes Civile rezulton se subjekti ka të njëjtat gjeneralitete të cilat i ka deklaruar pa ndryshime.
Në përfundim të procesit, “Sektori i Verifikimit të Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ka konkluduar se verifikimi është kryer i plotë dhe i gjithanshëm.
Subjekti deklarues përfshihet në fushën e veprimit të të Ligjit Nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 17/2016.
Megjithëse dënimi me gjobë nuk përfshihet në fushën e ndalimit të ushtrimit të funksionit sipas nenit 2 të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, por sa rezulton më sipër, subjekti nuk ka deklaruar këtë vendim gjyqësor të formës së prerë në formular edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në pyetjen 1 të formularit të vetëdeklarimit.
Ai i është përgjigjur me “Jo”, pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar apo i huaj.
Në KREUN III, pika 3, ç), të Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 17/2016 thuhet se formulari (që plotësohet dhe firmoset nga subjektet vetedeklarues) përmban një rubrikë ku detyrimisht pasqyrohet se “…. pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në të, passjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik”
Duke nënshkruar, në faqen e dytë të formularit II “ Marrja dijeni mbi efektet e formularit dhe të vetëdeklarimit”, pika d) “Pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në këtë Formular dhe refuzimi i depozitimit të gjurmëve daktiloskopike, passjell skualifikimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo ushtrimi i mëtejshëm i funksionit publik.”, subjekti mban përgjegjësinë e plotë dhe është i vetëdijshëm për pasojat ligjore në rast të deklarimeve të pavërteta, të paplota apo të pasakta, në lidhje me të kaluarën e tij kriminale.
Fakti që në formular, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me, vendimin penal të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e bën këtë subjekt, të përfshihet në kushtet e ndalimit duke passjellë përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik”
Për sa më sipër, dhe bazuar në ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe kreut V, pika 10, 11 të Vendimit të Kuvendit nr.17 viti 2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138 viti 2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
V E N D O S A :
- Përfundimin e verifikimeve dhe konstatimin se subjekti deklarues Altin Hazizaj kandidat për anëtar të KLGJ-së nga shoqëria civile, përfshihet në fushën e veprimit të Ligjit Nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.
- Ky vendim dhe rezultatet e verifikimit t’i njoftohen brenda 3 ( tre ) ditëve, institucionit të Kuvendit të Shqipërisë.
P R O K U R O R I, ROVENA GASHI
KOHA JONË SONDAZH

