Altin Toska takim me banorë të fshatit Gjyral dhe me gratë në Bashkinë e Cërrikut

 

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Altin Toska zhvilloi një takim me banorë të fshatit Gjyral.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët e kësaj zone, Toska u shpreh se menjëherë pas marrjes së detyrës do të nisë puna për përmirësimin e infrastrukturës dhe në rritjen e shërbimeve për të gjithë qytetarët.

“Tashmë kemi hyrë në fazën përfundimtare ku duhet punë për të fituar në mënyrë që të fillojmë pa humbur kohë me zbatimin e programit që ne kemi përgatitur. Problematikat e Bashkisë së Cërrikut janë të shumta dhe ato janë të evidentuara dhe të përfshira për zgjidhje në programin tim. Ne do të ndërhyjmë në infrastrukturën bujqësore dhe blegtorale dhe do të ndihmojmë edhe për rrugët. Vëmendje do t’i kushtojmë edhe sistemit vaditës, i cili është aktualisht është një problem i madh. Para 10 ditëve kemi ndërhyrë me Bordin për hapjen e kanalit të Durrësit. Sistemi vaditës në këtë fshat, por edhe në fshatrat e tjerë do menaxhohet ashtu siç e meriton dhe është turp që në vitin 2015 të diskutohet akoma mungesa e sistemit vaditës kur ajo ka qenë krenaria e jonë”, tha Toska.

Gjithashtu, kandidati i përbashkët i ASHE-së, Altin Toska u shpreh se do të lobojë fort tek qeveria për kujdesin e të gjitha institucioneve për cilësinë e farave që do të mbillen.

Në vijim të fjalës së tij, Toska tha se me reformën e re territoriale janë krijuar mundësi të reja për zhvillimin e të gjithë Bashkisë së re të Cërrikut.

“Pala kundërshtare ishte kundër reformës-territoriale, por falë saj shërbimet do jenë akoma më të mira. Shërbimi spitalor do të përmirësohet duke rritur numrin e mjekëve dhe të infermierëve. Ujësjellësat do jenë nën administrimin e Bashkisë së Cërrikut duke rritur cilësinë e ujit të pijshëm, por edhe duke rritur numrin e të punësuarve brenda 4 viteve. Në fshatin Gjyral do të ndërtojmë edhe kënde lojërash për fëmijët, parqe ku ato të luajnë si fëmijët europianë”, tha më tej z. Toska.

Gjithashtu, kandidati i ASHE-së, Altin Toska zhvilloi edhe një takim me gratë në Cërrik . Në fjalën e tij, z. Toska garantoi se gratë do jenë bashkëvendimmarrëse.

SHKARKO APP