Ambasada amerikane: Korrupsioni në burgje po ndihmon rrjetet kriminale të vazhdojnë të funksionojnë edhe jashtë!

Ambasada e SHBA në Tiranë i ka dhuruar drejtorit të burgjeve, Agim Ismaili, kompjuterë dhe projektorë, duke e nxitur të vijojë përpara reformat në sistemin e menaxhimit të burgjeve.

Mes të tjerash, SHBA thekson se të burgosurit duhen trajnuar dhe përgatitur për riintegrimin në shoqëri pas lirimit të tyre.

Ndërkohë, ambasada thekson se problem është edhe korrupsioni që u mundëson rrjeteve kriminale të vazhdojnë të funksionojnë jashtë burgjeve, duke e cilësuar këtë një sfidë të veçantë në Shqipëri.

Mesazhi i ambasadës:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet reformat e sistemit të menaxhimit të burgjeve, përfshirë Qendrat e Trajnimit për Oficerët Korrektues. Si pjesë e mbështetjes, Drejtori i Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës Ben Rockëell i dorëzoi Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili në fillim të kësaj jave kompjutera portativë dhe projektorë për Qendrën e re të Trajnimit. Menaxhimi modern i burgjeve kërkon përgatitje të specializuar profesionale për zyrtarët e sigurisë së burgjeve, gjë e cila po ofrohet nga Qendra e Trajnimit. Reformat në vazhdim janë krijuar për të balancuar sigurinë me kërkesat humanitare dhe rehabilituese për t’i përgatitur të burgosurit për riintegrimin në shoqëri pas lirimit të tyre. Reformat duhet të trajtojnë gjithashtu edhe korrupsionin që u mundëson rrjeteve kriminale të vazhdojnë të funksionojnë jashtë burgjeve. Kjo është një sfidë për të gjitha sistemet e burgjeve, dhe një sfidë e veçantë në Shqipëri. Ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një investim në përpjekjet e partnerëve tanë dhe i tillë që do t’i bëjë të dy vendet tona më të sigurta. Ne mirëpresim të shohim rezultatet.

SHKARKO APP