Ambasada e SHBA: Inxhinierët amerikanë mbyllin vlerësimin strukturor të 14 ndërtesave në Durrës
Ekipi i inxhinierëve të ardhur nga Amerika për të ndihmuar Shqipërinë në këto momente dramatike pas tërmetit të 26 nëntorit kanë përfunduar ditën e djeshme vlerësimin strukturor të 14 ndërtesave në Durrës.
Lajmi bëhet i ditur nga ambasada amerikane në Tiranë, e cila thekson se po dje partneri i tyre vendor, Kryqi i Kuq Shqiptar, ka shpërndarë ndihma për 70 familje të prekura nga fatkeqësia natyrore.
“Zyra për Ndihmë të Jashtme në raste Fatkeqësish e USAID në Shqipëri vazhdon të mbështesë përpjekjet për ndihmë ndaj tërmetit të 26 nentorit. Dje, partneri i tyre vendor, Kryqi i Kuq Shqiptar shpërndau ushqime, batanije dhe artikuj higjene për 70 familje, ndërsa ekipi i inxhinierëve mbaruan vlerësimin strukturor të 14 ndërtesave në Durrës. #ShbaQendronKrahShqiperise”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.