Ambasada në Tiranë organizon pritje me rastin e ditës kombëtare të Katarit
Ambasada e Katarit në Tiranë zhvilloi në mbrëmje, një ceremoni pritjeje me rastin e Ditës Kombëtare të Shtetit të Katarit, ku morën pjesë zyrtarë të lartë të vendit, si z. Igli Hasani, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, krerë dhe përfaqësues të Misioneve Diplomatike dhe Organizatave Ndërkombëtare të akredituar në vend, kryetarë të bashkive, si dhe shumë personalitete të politikës, biznesit, medias, artit etj.
Gjatë fjalës së tij me këtë rast, Ambasadori i Shtetit të Katarit në Shqipëri, Jabor bin Ali Al Dosari, theksoi se festimi i Ditës Kombëtare më 18 Dhjetor të çdo viti synon përkujtimin e themeluesit Sheikh Jassim bin Mohammed bin Thani, i cili hodhi themelet e shtetit modern të Katarit.
“Kjo ditë rrënjos sensin e krenarisë për identitetin dhe përkatësinë kombëtare dhe pasqyron unitetin dhe solidaritetin e popullit Katarian nën udhëheqjen e urtë të Lartësisë së Tij Emirit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani”,-tha ai.
Ambasadori vuri në dukje se Shteti i Katarit zë sot një pozicion të veçantë e gjithnjë në rritje në arenën rajonale dhe ndërkombëtare, falë arritjeve të tij të gjithanshme dhe të pashembullta, duke spikatur në komunitetin ndërkombëtar me një politikë të jashtme të ndërtuar mbi bazën e bashkëpunimit dhe miqësisë.
“Këto arritje e kanë kualifikuar Katarin të luajë rolin e një ndërmjetësi të suksesshëm në zgjidhjen e shumë mosmarrëveshjeve përmes mjeteve diplomatike, veçanërisht në zgjidhjen e krizës dramatike që përjeton Lindja e Mesme aktualisht. Katari është i angazhuar me partnerët e tij ndërkombëtarë për të arritur një armëpushim të përhershëm dhe një zgjidhje të drejtë për Çështjen Palestineze, në përputhje me rezolutat ndërkombëtare dhe Iniciativën Arabe për Paqe”,-nënvizoi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Ambasadori theksoi marrëdhëniet solide dhe lidhjet e ngushta të miqësisë ndërmjet Katarit dhe Shqipërisë e Kosovës, si dhe rikonfirmoi përpjekjet e vahdueshme të ambasadës së Shtetit të Katarit në Tiranë për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe dhe mbështetur të çdo nismë që kontribuon në zgjerimin e aspekteve të bashkëpunimit në të gjitha fushat, në dobi të vendeve dhe popujve tanë miq.