Ambasadorët bojkotojnë fjalën e Ramës, PD: Përgjigjja më e mirë
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso ka mbështetur qëndrimin e zyrtarëve të Brukselit, të cilët u çuan në këmbë dhe braktisën takimin në çastin kur kryeministri Edi Rama po fliste për amnistinë, specifikat e ligjit dhe përfitimet nga nisma. Në një postim të shpërndarë në facebook, Kaso tregoi pse kalimi i paketës së amnistisë fiskale sipas tij rrezikon Shqipërinë.
Postimi i plotë nga Ivi Kaso
Pas gazetarëve, kosovarëve, bullgarëve dhe zyrtarëve të Brukselit, Edi Rama iu përvesh sot dhomave të Tregtisë të vendeve partnere.
I quajti ‘fletërrufe’ reagimet e tyre kundër amnistisë fiskale, dhe vuri në skenë rolin e sovranistit. Eshtë i njëjti që bën si globalist kur Sali Berisha, Albin Kurti, e të tjerë, e përdorin sovranitetin si tezë politike. Partia Demokratike dënon sjelljen arrogante me dhomat Amerikane dhe Gjermane të Tregtisë.
I kujtojmë opinionit publik, se ato janë të vetmet institucione, përveç opozitës, të pakapura nga qeveria. Kjo është arsyeja se, pse Rama shkumëzon. Pas etiketimit si fletërrufe të reagimeve, urojmë të mos i dënojë me riedukim. Sjellja prej eurotlanticisti në mbrëmje dhe putinisti në mëngjes, e zbulon Edi Ramën si hipokrit. Duke mbështetur sërish qëndrimin e Dhomave, falenderojmë trupën e biznesit të huaj që punon në Shqipëri, një akt heroizmi në kushtet e një qeverie armiqësore me ta.
Reagimi i Ambasadoreve te Gjermanise dhe Frances duke braktisur takimin eshte pergjigjia me e mire per veprimet harbute te kryeqeveritarit.Ritheksojme rrezikun që sjell amnistia fiskale Rama-Ahmetaj-Gjiknuri-Veliaj. Potpuria e skandaleve të kësaj qeverie e ka vulosur motivin pas kësaj amnistie.
“Çunat problematikë” të botës së krimit dhe “bravoçunat” e qeverisë duan të përmbyllin etapën e fundit të kontratës së tyre. Të legalizojnë, jo vetëm paratë e pista, por edhe të normalizojnë të keqen. Kalimi i kësaj pakete e rrezikon Shqipërinë.