Ambasadori amerikan: Të pajtojmë rajonin
Ambasadori amerikan për Liritë Fetare Ndërkombëtare, Sam Brownback në një intervistë për ”Ora News”, ka vlerësuar si një vlerë të rëndësishme lirinë e besimit. Madje, diskutimi i kësaj teme ne Tiranë është një faktor që ka bërë që ai të vizitojë vendin tonë. Sa i përket rajonit, ai thekson se duhet punuar shumë për pajtimin e vendeve.
Pyetje: Pse zgjodhët Shqipërinë për të ardhur?
Unë zgjodha Shqipërinë pasi ju bëtë një hap përpara dhe donit që të flisnit për këtë temë mjaft kritike të vëndit që zë besimi fetar tek ruajtja e paqes. Në shumë vende në mbarë botën, fatkeqësisht, besimi fetar po përdoret për t’i përcarë njerëzit. Por, këtu në Shqipëri nuk flitet për përcarje, përkundrazi, këtu besimi shihet si faktor për ndërtimin e paqes. Dhe rajoni në fakt, por edhe bota kanë nevojë që të hedhin rrënjë të forta tek stabiliteti. Prandaj, edhe unë zgjodha që të jem këtu.
Pyetje: Si e shihni gjendjen e besimit dhe të lirive në Shqipëri dhe rajon?
Unë e shoh situatën mbi lirinë e besimit në Shqipëri në një pozitë mjaft të mirë. Jam takuar me shumë përfaqësues të komuniteteve fetare këtu dhe të gjithë ata më kanë folur për lirinë, për mundësinë e praktimit të fesë së tyre. E njëjta gjë vlen edhe për njerëzit e thjeshtë. Të gjithë kanë qënë shumë pozitivë për këtë temë. Nuk ka as aspekte të dhunës me këtë sfond. Sa i përket rajonit, kam disa shqetësime. Fatkeqësisht ka një mungesë besimi ndërmjet feve. Kjo ka ardhur për disa arsye historike, për gjëra që kanë ndodhur. Shumë njerëz më kanë thënë se rajoni mund të mos jetë shumë i madh, por historia e tij është me e madhe se vetë Ballkani. Dhe pikërisht këto gjera që kanë ndodhur vite më parë, episode dhune në shumicën e rasteve, janë arsye kryesore që sjellin mungesë besimi tek rrymat e ndryshme fetare. Besoj se duhet të punohet më shumë për pajtimin në këtë rajon. Duhet ecur përpara dhe të ndërtohen gjëra pozitive. Duhet punuar gjithashtu që këto vështirësi të mos përkthehen në dhunë sërish.
Është hera e parë që jeni në Shqipëri, cili është impresioni juaj?
Unë po e shijoj Shqipërinë. Pashë dhe ndeshjen e futbollit dhe do kisha dëshirë që t’i mposhtnit francezët, por kjo nuk ndodhi. Keni ndërtuar një stadium shumë të bukur futbolli. Njerëzit këtu janë të këndshëm dhe natyra është mbreslënëse. Njeriu që më ka impresionuar më shumë në të gjithë botën është nga Shqipëria. Dhe ajo ishte Nënë Tereza. Ajo ishte shqiptare. Kam përshtypje shumë të mira për vendin tuaj. Besoj se ju keni shumë për t’ju mësuar njerëzve mbi lirinë e besimit.
Mendoni se do të ktheheni sërish, ndoshta jo për arsye pune?
Mendoj se po. Ka një shans shumë të mirë nëse ne ecim përpara me përpjekjet për pajtim. Besimet Abrahamike, judaismi, krishtërimi dhe myslimanizmi, kanë shumë konflikte në mbarë botën dhe nëse ju mund t’i mësoni botës dicka të mirë në këtë aspekt, ky do të ishte një kontribut shumë i madh për paqen.