Ambasadori britanik: Reforma në arsimin e lartë, e suksesshme

Ambasadori i Britanisë në Tiranë, Nicholas Cannon, reformën në arsim e quan si një nga reformat më të sukseshme të vitit të dytë të qeverisjes së koalicionit PS-LSI. Ndërsa për vitin e tretë të kësaj qeverie sipas tij, reforma më e suksesshme do të ishte ajo e drejtësisë.

Kështu, në një konferencë në lidhje me arsimin e lartë, ambasadori Cannon nënvizoi gjatë fjalës së tij se sistemi i reformuar arsimor e bën Shqipërinë një vend më të mirë.

“Reforma e arsimit është arritja më e madhe legjislative gjatë vitit të dytë të qeverisjes. Ashtu siç është reforma zgjedhore në vitin e parë. Dhe reforma në drejtësi urojmë të jetë vitin e tretë. Nuk po duam të imponojmë model britanik, por një model shqiptar që të implementojë nevojat e vendit”, deklaroi ai.

Më tej, Cannon tregoi edhe pse Britania e mbështet reformën.

“Mendojmë se është mjet për Shqipërinë. Një vend i vogël që prodhon me ritëm dinamik. Afrimi i Shqipërisë me standardet europianë do ndihmojë në rrugën e integrimit europian. Do të garantojë modele që mund të zbatohen në rajon, veçanërisht në Kosovë”, theksoi ai.

SHKARKO APP