Ambasadori Dervishi: Rumania në BE me zgjedhje të parakohshme

Rumania do të kryesojë Bashkimin Europian në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Do të jetë një periudhë me plot ngjarje për BE, por edhe për vendin tonë, pasi në këtë gjashtëmujor do të zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin e ri të BE, pritet që Britania e Madhe të dalë përfundimisht nga BE dhe vendi ynë shpreson të marrë statusin e vendit kandidat. Ambasadori Dashnor Dervishi, me një karrierë të gjatë diplomatike, sjell për gazetën “Panorama” disa nga shënimet e tij si ambasador në Rumani (2006-2010), që lidhen me atë periudhë kur Rumania u bë anëtare e BE-s.

DASHNOR DERVISHI, ambasador

RUMANIA PARA DHE PAS ANËTARËSIMIT NË BE

Swiss Digital Desktop Reklama

Në Bukuresht mbërrita më 31 mars 2006. Dorëzimi i kredencialeve te Presidenti i vendit, Trajan Basescu, u bë më 25 maj. Zakonisht, paraqitja e kredencialeve nga ambasadorët te Presidenti i vendit është më shumë një ceremoni protokollare, që shoqërohet me mesazhe pozitive, shprehje të vlerësimeve reciproke, të besimit dhe angazhimit për të kontribuar sa më shumë për përmirësimin e marrëdhënieve miqësore të bashkëpunimit dy palësh, të paqes, sigurisë, etj..

Swiss Digital Mobile Reklama

Por për habinë time, Presidenti Basescu mezi priti që të më theksonte qëndrimin e tij të pandryshueshëm se Rumania ka qenë dhe do jetë e prerë në qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës. Mbeta disi i befasuar, megjithatë duke kaluar me pak humor, i thashë se në jetë asnjëherë nuk mund të themi kurrë, e aq më pak në politikë; pavarësisht nga kjo, si ambasador i Shqipërisë, jam sot këtu t’ju përcjell juve mesazhet miqësore të Presidentit Moisiu për popullin rumun dhe juve personalisht, me bindjen se do të kem përkrahjen dhe mbështetjen tuaj në kryerjen e misionit tim. Të nesërmen, Basescu do të nisej në Durrës për një takim informal të presidentëve të rajonit.

Përgjatë vitit 2006, viti i parë i mbërritjes sime në Bukuresht, në objektivat kryesore të politikës së jashtme të Rumanisë shprehej roli i saj aktiv në NATO dhe integrimi në BE, në të njëjtën kohë që theksohej ndjekja e një politike proamerikane pa rezerva. Traktati i anëtarësimit të Rumanisë dhe Bullgarisë në Bashkimin Europian u firmos nga vendet anëtare në Luksemburg, në Abacia Neumunster, më 25 prill 2005 dhe hyri në fuqi më 1 janar 2007, pas ratifikimit nga 27 vende të Bashkimit Europian. Në funksion të sigurisë së saj kombëtare, politika e jashtme e Rumanisë, kushtëzohej në një farë mase edhe nga pozita e saj gjeostrategjike, si vend kandidat i BE-së dhe anëtar i NATO-s, në frontin lindor të kësaj aleance dhe midis dy zonave rajonale, të Detit të Zi nga njëra anë dhe Ballkanit Perëndimor nga ana tjetër, zona me mjaft konflikte dhe të pastabilizuara. Nisur nga pozita gjeografike e Rumanisë, në kufirin lindor të BE-së, midis hapësirave të ish-Bashkimit Sovjetik nga njëra anë dhe si vend ballkanik që ndodhet midis ish-Jugosllavisë dhe Detit të Zi nga ana tjetër, kishte pak mundësi për alternativa në zgjedhjen e aleatëve të saj.

GJENDJA POLITIKE E RUMANISË NË PRAG TË ANËTARËSIMIT NË BE

Viti 2006 ishte viti kur Rumania kishte hyrë në atmosferën e përgatitjeve të fundit, për të përjetuar anëtarësimin e saj në BE. Kjo gjë kërkonte nga opinioni i brendshëm, por në mënyrë të veçantë nga Brukseli, që në prag të anëtarësimit, vendi duhej të karakterizohej nga qetësia dhe stabiliteti politik dhe të gjitha forcat politike duhej të dëshmonin vullnetin e tyre në këtë drejtim.

Në kuadrin e orientimit komunitar, partitë dhe forcat politike të vendit u përfshinë në projektin e reformimit moral të klasës politike rumune. Në këtë situatë u vu re një tendencë për ndryshime dhe konfiguracione të reja të partive. Diskutohej për një zhbalancim të forcave parlamentare dhe një luftë imazhi brenda partive politike. Debatohej për nevojën e vendosjes së një raporti të ri të forcave politike, përmes zgjedhjeve të parakohshme, mbasi Rumania të pranohej në BE.

Objektivi kryesor i qeverisë rumune mbetej thellimi në zbatimin e reformave në jetën ekonomike dhe sociale, në përputhje me kërkesat në rritje të Bashkimit Europian. Si rezultat i luftës politike dhe konflikteve të brendshme në gjirin e aleancës qeverisëse, gjatë vitit 2006 u bënë disa ndryshime të rëndësishme në kabinetin qeveritar, në Ministrinë e Mbrojtjes, në atë të Ekonomisë dhe Energjetikës, në nivelet drejtuese të shërbimeve të fshehta, etj.. Koalicioni qeverisës ishte i qendrës së djathtë dhe ishte krijuar ndërmjet Partisë Nacional Liberale PNL, të Kryeministrit Tariceanu, Partisë Demokratike PD të Presidentit Basescu, Bashkimit Demokratik të Hungarezëve të Rumanisë UDMR, e pakicave hungareze dhe Partisë Konservatore, PC. Megjithëse deklaratat dhe interesi i pjesës më të madhe të spektrit politik ishte për status quo, lëvizjet politike të 6- mujorit të dytë të 2006-s krijuan një farë konfuzioni dhe disbalancë politike, që e bënin më të vështirë ruajtjen e status quo-së së dëshiruar.

Ndër lëvizjet politike që tërhoqi vëmendjen ishte dorëheqja më 24 nëntor 2006 e zv.presidentit Gheorghe Flutur të Partisë Nacional Liberale PNL dhe bashkimi i tij me grupin e platformistëve, të kryesuar nga Theodor Stolozhan. Kjo lëvizje u ndoq edhe nga parlamentarë të tjerë të kësaj partie, të cilët krijuan grupin e platformistëve në Parlament, praktikisht një grup, që çoi në fuqizimin e opozitës (kryesisht i majtë). Lëvizja e dytë ishte dalja nga koalicioni në fuqi e Partisë Konservatore (PC), që çoi 19 parlamentarë të tjerë në krahun opozitar. PC u tërhoq nga kabineti si një lëvizje, të paktën, pjesërisht e lidhur me konfliktet midis Basescut dhe kreut të PC Dan Voiculescu. Tërheqja e PC-së e la koalicionin pa shumicën në Parlament. Tërheqja e Partisë Konservatore (PC) nga koalicioni udhëheqës PNL-PD-UDMR-PC krijoi një valë pasigurie dhe spekulime në lidhje me koalicionet e së ardhmes. Pas kalimit të PC-së në opozitë, qeveria nuk kishte përkrahjen e shumicës në planin legjislativ, megjithatë Kryeministri Tariceanu thoshte se ka shumicën parlamentare edhe pas tërheqjes së PC nga koalicioni. Me kalimin në opozitë të 19 parlamentarëve konservatorë, koalicioni qeveritar PNL-PDUDMR (UDMR -Partia e pakicave hungareze) mbeti në Parlament me një diferencë prej 27 votash nga shumica, duke u varur drejtpërsëdrejti nga votat e 18 deputeteve të pakicave kombëtare dhe të 16 deputetëve të pavarur. Në Senat, koalicioni bazohej në 60 nga 137 senatorë, por kishte nevojë për 69 vota për të siguruar shumicën.

Gjendja do të rëndohej n.q.s do të votonin kundra qeverisë përkrahësit e platformës Stolozhan-Stoika (Valeriu Stoika), 24 deputetë dhe senatorë liberalë. Siç duket nga shifrat, në vigjilje të pranimit në BE, gjendja politike ishte larg nga të qenit e qëndrueshme. Këto lëvizje tërhoqën shumë vëmendjen rreth raportit të forcave politike në Parlament. Sondazhet e realizuara pothuajse çdo muaj për preferencat politike të elektoratit rumun, jepnin në mënyrë sistematike rezultate të përafërta: Aleanca DA (Partia Demokratike dhe Partia Nacional Liberale) kishin mbështetjen e rreth 45 % të elektoratit; Partia Social Demokrate, rreth 23%; Partia Rumania e Madhe grumbullonte rreth 10 %; ndërkohë, që partitë e tjera kishin kuota më të vogla. Aleanca në pushtet përfshinte edhe përqindje të grupimeve me të vogla, duke u bërë një maxhorancë që e kalonte 50 %. Nga ana tjetër, raporti i forcave në Parlament, i cili përfaqësonte rezultatet elektorale të dy viteve më parë, karakterizohej nga lëvizje individuale apo në grup të deputetëve nga njëri krah te tjetri, duke pasqyruar preferencat politike reale, mjaft të distancuara nga rezultatet e sondazheve. Në Parlament, maxhoranca kishte një ekuilibër të paqëndrueshëm, që shpesh anonte drejt minorancës.

Pasqyrimi i pasaktë në dhomat e Parlamentit i rezultateve elektorale ishte vënë re prej kohësh nga aleanca DA, ku më shumë se një herë ishin diskutuar zgjedhjet e parakohshme. Domosdoshmëria e këtyre zgjedhjeve diskutohej në vijim dhe veçanërisht në momentin kur balanca e forcave ndërroi kahun e minorancës dhe maxhorancës në Parlament, por aleanca DA e konsideronte periudhën e paraintegrimit si të papërshtatshme për çdo veprimtari tjetër, përveçse të atyre që lidheshin me procesin e anëtarësimit në BE. Katër javë para ceremonisë, që do të organizohej në Rumani me rastin e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian, temat kryesore të debatit politik ishin: rikonfigurimi i raportit të forcave në Parlament, qeveria e minorancës, skenarët me zgjedhje të parakohshme, krijimi i aleancave të reja, emërimi i një tjetër kryeministri, kërcënimet për bllokimin e buxhetit të shtetit, etj..

Forcat e ndryshme politike mbanin qëndrime të ndryshme kundrejt zgjedhjeve të parakohshme. Analizat politike tregonin se nga zgjedhjet e parakohshme, e fituar do të dilte vetëm Partia Demokratike, e cila do të eliminonte moskoordinimin mes preferencës elektorale reale dhe asaj virtuale, që konstatohej në Parlament. PNL-ja do të donte të vijonte mandatin qeverisës dhe jo të rrezikonte në qendrat zgjedhore. PSD-ja, që mezi i kalonte të 20% në sondazhe, do të humbiste gjysmën e vendeve në Parlament. Ata do të ishin të çmendur po të kërkonin tani zgjedhje të parakohshme, komentohej në shtyp, ndërkohë që do ishte në interes të tyre të bashkëvepronin me një qeveri të minorancës, duke evituar me çdo kusht një krizë të zgjeruar.

Ndërsa Partinë Konservatore, zgjedhjet e parakohshme do ta linin jashtë Parlamentit, në mos edhe jashtë politikës. Në të vërtetë, kjo parti kishte ndërruar qëndrimet e veta më shumë se një herë, duke dhënë përshtypjen e oportunizmit të vendosur në rang doktrine. Pra, mospërputhja mes raportit të forcave politike të elektoratit dhe të përfaqësuesve të tij në Parlament do të sillte një aleancë interesash të PNL-së, PSD-së dhe PC-së, përballë të cilave qëndronte sfiduese PD-ja. Kryeministri Tariceanu i PNL-së nuk pranonte idenë e zgjedhjeve të parakohshme. PSD-ja është e përgatitur të hyjë në zgjedhje, deklaronte kryetari i saj Mircea Geoana. Ishpresidenti Ion Iliescu i PSD-së parashikonte zgjedhje para vjeshtës se 2007-ës. Vetë tërheqjet e zv.presidentit të PNL-së, Gheorghe Flutur, (njëkohësisht ministër i Bujqësisë) dhe i PC-së me ministrin e saj të Ekonomisë dhe Tregtisë, Condrut Seres, kishin më shumë rëndësi se zhbalancimet parlamentare që ata krijonin. Mbas disa negociatave mes partive të aleancës në fuqi, si dhe përfaqësuesve më të lartë të shtetit, në Presidencë u piketuan menjëherë personat që do të vendoseshin në vendet vakante. Mircea Toader, sekretar shteti në Ministrinë e Brendshme, ish-koleg marine i Presidentit dhe kryetar i Partisë Demokratike, mori Ministrinë e Ekonomisë dhe Tregtisë; liberalët morën vendin e zv.kryetarit të qeverisë Vosganian; ndërsa me partinë e tretë të koalicionit UDMR ndanë postet e sekretarëve të shtetit të mbetura pas tërheqjes së PC-ssë. Në Partinë Demokratike mendohej se marrëdhëniet me platformistët ishin të rëndësishme, se ato përbënin një problem të brendshëm të PNL-së, të cilin do të ishte mirë ta zgjidhnin me mirëkuptim.

Po kështu, pritej që parlamentarë apo funksionarë të PC-së të vijonin punën duke braktisur vetë partinë. Në çdo rast, edhe zgjidhja më optimale do të krijonte një disavantazh kohor në drejtimet që mbulonin Ministritë e Bujqësisë dhe të Ekonomisë, të cilat kishin projekte dhe axhenda të ngjeshura aktivitetesh në këtë prag të anëtarësimit në BE. Ndërkohë, u vu në lëvizje edhe Prokuroria, që filloi të analizojë me vëmendje implikimin e ministrit Seres në “dosjet e energjisë”, duke formuluar akuza për spiunazh, tradhti ndaj disa të akuzuarve vendës e të huaj.

Hetimet, ndërkohë mund të shpinin edhe më larg. Po kështu, gripi aviar i një viti më parë, problemet e sëmundjeve në bagëti, që kishin dëmtuar imazhin e vendit në fushën e blegtorisë, u rihapën me marrjen e masave energjike, krahas atyre reformuese strukturore në kuadrin e integrimit të vendit. Më 18 dhjetor 2006, Basescu mbajti një fjalim në Parlament (transmetuar drejtpërdrejt në TV), në të cilin ai dënoi regjimin komunist të Rumanisë para 1989-ës. Disa anëtarë të opozitës, kryesisht të PRM ultra-nacionaliste dhe disa anëtarë të Partisë Social- Demokratike, u përpoqën të prishnin e ta ndërprisnin fjalimin; veçanërisht ndërhyrjet me zë të lartë të kreut ultra-nacionalist PRM Corneliu Vadim Tudor, i cili ecte me postera në sallën e Parlamentit, duke ndërprerë disa herë fjalimin e Basescut. Më 1 janar 2007, Rumania së bashku me Bullgarinë u pranuan anëtare të Bashkimit Europian. Në fjalën që mbajti Presidenti Basescu në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ndër të tjera theksoi se vërtet Rumania hyri në BE me letra, por asaj do t’i duheshin edhe shumë vite që të bëhej një anëtare me të njëjtat parametra, si vendet e tjera të BEsë.

Ndërkohë, sipas Basescut, mbas futjes së Rumanisë në BE, në rastin më të mirë asaj do t’i duhej të priste vitin 2015 që të futej edhe në eurozonë. Sipas vlerësimeve të analistëve të huaj, po ashtu parashikohej që Rumania të hynte në hapësirën Shengen të BE-së në vitin 2015. Shqipëria përshëndeti me entuziazëm futjen e Rumanisë, por edhe të Bullgarisë në BE dhe NATO. Vlerësimi ynë për futjen në BE të Rumanisë lidhej jo vetëm me faktin se një vend ballkanik shtoi numrin e vendeve anëtare të BE-së, por edhe sepse nga pikëpamja e gjeopolitikës, mbas kësaj, Shqipëria rrethohej plotësisht nga vende anëtare të BE-së dhe NATO-s. Në këtë mënyrë, Rumania dhe Shqipëria, përfshirë midis tyre edhe Serbinë e Kosovën, futeshin në të njëjtën zonë sigurie, që shtrihej nga Deti i Zi deri në Adriatik e Mesdhe.

Burimi: http://www.panorama.com.al/rrefimi-i-ambasadorit-dervishi-rumania-ne-be-me-zgjedhje-te-parakohshme-dhe-qeveri-te/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?