Ambasadori i Italisë: Shtatë deputetë dhe senatorë italianë vëzhgues më 25 prill
Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, zhvilloi sot një takim me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Bucci tha se zgjedhjet duhet të zhvillohen në një klimë të qetë, ndërsa dënoi aktet e dhunës të ditëve të fundit.
“Zgjedhjet duhet të zhvillohen në një klimë të qetë, pa përdorimin e dhunës. Në demokraci dita në të cilën votohet duhet të jetë një festë. Është çasti më i rëndësishëm dhe më i shenjtë pasi përfaqëson momentin në të cilin populli shpreh dhe vendos se prej cilit dëshiron të qeveriset. Për këtë arsye dënojmë me vendosmëri aktet e dhunës të ditëve të fundit. Dhuna nuk përkon me demokracinë. Nuk është kjo ajo që duan dhe që kërkojnë shtetasit shqiptarë”, tha ai.
Duke theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për integrimin e Shqipërisë në BE, Bucci u bëri thirrje forcave politike që të tregojnë përgjegjshmëri, vetëpërmbajtje dhe pjekuri. Po ashtu ai thekson se në përbërje të grupeve ndërkombëtare të vëzhgimit do të jenë edhe shtatë deputetë dhe senatorë italianë.