Ambasadori Lu: Ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë frikë nga reforma në drejtësi

 

Nëse ka njeri që mund ta bëjë Reformën në Drejtësi, përveç faktorit të specialistëve, është ambasadori LU. Natyrisht ambasadori nuk do të bëjë nenet apo ndryshimet, por ai mban të karikuar faktorin politik që të mos ndalojë apo hezitoj. Partitë politike përdridhen e spërdridhen dhe nuk e duan në thelb  ndryshimin e sistemit të drejtësisë, por sapo shikojnë ambasadorin Lu shkojnë me vrap tek komisioni përkatës për reformën. E kemi thënë se Lu nuk është ambasador si gjithë paraardhësit e tij. Ai është përtej ambasadorit, është edhe lider i fjalës, debatit, argumentit dhe i vendosmërisë.

Ambasadori amerikan në Tiranë u tregua edhe njëherë tjetër i drejpërdrejtë në qortimet dhe akuzat për sistemin e drejtësisë. Në fjalën e mbajtur në takimin me Komisionin e Posaçëm për këtë reformë, Donald Lu tha se SHBA mbështesin plotësisht ndryshimet kushtetuese të propozuara nga paneli i ekspertëve. “Unë ju siguroj se SHBA mbështet plotësisht propozimet aktuale për ndryshimet kushtetuese. Ne kemi marrë pjesë në shkrimin dhe diskutimet e ekspertëve për secilin prej këtyre ndryshimeve. Kjo është një reformë rrënjësore që për herë të parë do të ndërmarrë hapa konkretë për të larguar gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi i drejtësisë”, deklaroi Lu. Ambasadori u tregua edhe njëherë tjetër i drejtpërdrejtë ndaj gjyqësorit, kur tha se gjykatës të korruptuar dhe të paaftë mbushin xhepat e tyre me paratë e shqiptarëve dhe kërkoi prej klasës politike t’i japë fund gjuhës së konfliktit dhe të punojë bashkërisht për këtë reformë. “Duhet të ketë dialog të hapur dhe të sinqertë nëse këto propozime janë reformat e duhura për të drejtuar problemet serioze të vendit. Partitë duhet të angazhohen dhe t’i japin fund sulmeve politike. Nxis që të dëgjohen me vëmendje diskutimet dhe këshillimet për këtë reformë”, shtoi Lu. Lidhur me shqetësimet e ngritura nga pjesëtarë të gjyqësorit se reforma mund të cënojë pavarësinë e këtij pushteti, Donald Lu kishte një përgjigjie krejt origjinale. “Asnjë shqiptar nuk beson sot se sistemi i drejtësisë është i pavarur. Nuk është i pavarur nga ryshfeti, nuk është i pavarur nga telefonatat, ku persona me pushtet i telefonojnë drejtpërdrejtë personat e drejtësisë, nuk është i pavarur prej presionit të krimit të organizuar. Kjo reformë do t’i japë mundësinë e vërtetë për të bërë sistemin e drejtësisë për herë të parë të pavarur”, mbylli fjalën e tij, Donald Lu.

SHKARKO APP