Ambasadori rus në Tiranë: Operacionet në Siri do vazhdojnë

 

Që prej 30 shtatorit, Rusia çdo ditë kryen 60 bombardime nga ajri në Siri, ku sipas Moskës objektiv janë bazat dhe vetë antarët e Shtetit islamik.

Alexander Karpushin, ambasador i Federatës Ruse në Tiranë, në një intervistë për Top-Channel thotë se “operacioni i forcave ushtarake ajrore po zhvillohet mbi parimet e të drejtave ndërkombëtare”.

“Motivi kryesor i vendimit të qeverisë ruse për nisjen e sulmeve ndaj grupeve të njohura ndërkombëtarisht si terroriste në Siri është mbrojtja e interesave kombëtare të Rusisë kundër rrezikut të terrorizmit. Lufta me grupe terroriste në largësi. Para së gjithash, fjalë bëhet për Shtetin Islamik dhe pastaj grupet e tjera me të njëjtin karakter, që organizojnë aktet terroriste dhe shkatërrojnë monumentet e kultures antike. Ideologjia e ISIS-it nuk mund të quhet myslimane, sepse ajo është në kontradiktë me parimet kyçe të Islamit. Veç kësaj, ajo po kompromenton Islamin tradicional, si atë të degës së sunitëve ashtu edhe atë të shiitëve. Prandaj, operacionet e Rusisë në Siri, një vend ku pjesa e botës myslimane është më shumë se 20 milionë, është i drejtë në një nivel sa më të lartë sepse ka si qëllim mbrojtjen e Islamit tradicional. Prania dhe veprimtaritë e Rusisë në Siri janë absolutisht të ligjshme, gjë që nuk mund të themi për koalicionin e kryesuar nga SHBA-ja. Qeveria e ligjshme e Sirisë iu drejtua Rusisë me porosi për ndihmë ushtarake teknike për t’u mbrojtur nga agresioni i jashtëm dhe për të ruajtur unitetin e vendit. Presidenti i Rusisë ka lejen e posaçme nga Parlamenti rus për shfrytëzimin e forcave të armatosura jashtë shtetit”, thotë Karpushin.

Ambasadori rus gjatë intervistës thotë se operacionet e deritanishme janë të sukseshme.

“Koha që ka kaluar që nga fillimi i operacionit vërtetoi efikasitetin e tij. Që nga 30 shtatori, forcat ruse kanë kryer mbi 900 fluturime ushtarake duke goditur më shumë se 1000 objektiva të ISIS dhe grupimeve të tjera. Dua të vë në dukje se objektivat për goditjet ajrore janë të caktuara në mënyrë të përpiktë jashtë qendrave të banuara dhe vetëm në bazë të të dhënave zbuluese të vërtetuara që vijnë nga burime të ndryshme. Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë i ofron regjimit sirian raportet e sulmeve ajrore ndaj bazave të ISIS-it, raporte që kanë akses të lirë”, thotë Karpushin. 

Pavarësisht kërkesave për t’i ndërprerë bombardimet, ambasadori Alexander Karpushin thekson se ato do të vijojnë. 

“Në të vërtetë, menjëherë pas fillimit të operacionit të forcave ushtarake ajrore ruse kishte thirrje dhe kërkesa të tilla. Por deri tani nuk ka asnjë provë ose shembull se Rusia qëllon grupe që gjoja luftojnë kundër ISIS. Po fillon procesi i konsolidimit të të gjitha forcave progresive dhe mobilizimi i tyre për luftën kundër terrorizmit. Për këtë dëshmon takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të Rusisë, SHBA-ve, Turqisë dhe Arabisë Saudite në Vjenë, ku u diskutuan çështjet e koordinimit të përpjekjeve të këtyre vendeve në luftën kundër terrorizmit, të formimit të koalicionit të gjerë  anti-terror për të përballuar rrezikun global që vjen nga Shteti Islamik. Takimi tjetër do të zhvillohet atje pas një jave. Prandaj, procesi i bashkimit të përpjekjeve të shteteve të civilizuara në luftën kundër terrorizmit po avancon”, vijon ambasadori.

Ndërsa për hetimin e zhvilluar në Holandë për rrëzimin në Ukrainë të avionit të linjës “Malaysian Airlines”, ambasadori e konsideron atë si të kryer përciptaz dhe jo bindës. 

“Nuk janë shfaqur dëshmi të rëndësishme, si regjistrimet e bisedave të dispeçerëve ukrainas, të dhënat mbi fluturimet e avionëve, të dhënat nga regjistruesit automatikë të Boingut. SHBA nuk kanë paraqitur të dhënat e satelitëve zbulues, që në atë moment ndodheshin pikërisht mbi Donbasit. Në të njëtën kohë, fajtorët e katastrofës ishin shpallur jashtëzakonisht shpejt. Siç shihet, presidenti amerikan, një ditë pas katastrofës, pa hetim dhe pa asnjë dëshmi, por duke u bazuar në informacionet nga rrjetet sociale deklaroi se militantët e Donetskut dhe Rusia ishin fajtorë. Ndërsa rezultatet e hetimit të shfaqura në raportin e datës 13 tetor janë zhgënjyese. Pas hetimit 15-mujor, fajtorët nuk janë shpallur me saktësi, kurse përfundimet janë të gabuara dhe jo të argumentuara. Kështu, komisioni holandez deklaroi se avioni gjoja ishte qëlluar me sistemin kundërajror “BUK”, me raketë që është në shërbim të ushtrisë ruse dhe se gjoja raketa ishte lëshuar nga qyteti Snezhnoe, i kontrolluar nga militantët. Në të njëjtën kohë, kompania “Almaz-Antej”, e cila ka projektuar dhe prodhon sistemet “BUK”, duke u bazuar në hetimin e detajuar çon prova të pakontestueshme për të kundërtën. Sipas analizës së karakterit të dëmit të avionit dhe të elemetëve dëmtues të raketës është provuar se, avioni ishte qëlluar me raketë të prodhimit sovjetik të vitit 1986. Në Rusi, të gjitha këto raketa ishin çmontuar dhe shpërbërë që në vitin 2011, kurse në Ukrainë raketa të tilla janë ende në përdorim. Analiza e dëmtimit të kokës së Boingut tregon se lëshimi i raketës ishte kryer nga rajoni i kontrolluar nga ushtria ukrainase. Hetimi i ekspertëve rusë është absolutisht i hapur dhe transparent dhe detajet e hetimit janë në akses të lirë. Shpresojmë që kuptimi i qartë do të dominojë dhe në të ardhmen të organizohet një hetim mbi rrëzimin e avionit malajzian me pjesëmarrjen e të gjitha palëve që disponojnë materialet që mund të kontribuojnë në sqarimin e rrethaneve të tragjedisë. Rusia është absolutisht e gatshme për një bashkëpunim të tillë”, thotë më tej Karpushin.

SHKARKO APP