Ambasadori Soreca bashkëbisedim me kreun e KQZ, thirrje shqiptarëve: Rinovoni kartat ID për të votuar më 25 prill
Ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca ka zhvilluar një takim online me kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashin, ku u diskutua për zgjedhjet e 25 prillit.
Ambasadori Soreca iu bën thirrje qytetarëve shqiptarë të cilëve iu ka përfunduar afati i dokumenteve të identifikimit t’i rinovojnë ato. Ai shkruan se rinovimi i dokumenteve biometrike të identitetit është një sfidë e madhe.
“Shkëmbim i mirë me kreun e KQZ-në Ilirjan Celibashi. Po punohet për zbatimin e kodit të ri zgjedhor bazuar në marrëveshjen e 5 qershorit. Rinovimi i shumë dokumenteve biometrike të ID është një sfidë e madhe. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve të Shqipërisë që t’i rinovojnë ato urgjentisht përpara ditës së Zgjedhjeve”, shkruan Soreca.
Më 6 janar edhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim i ka bërë një apel të gjithë shqiptarëve që të rinovojnë kartat e tyre të identitetit dhe të marrin letërnjoftimin e ri në mënyrë që të kenë të drejtë vote në zgjedhjet e 25 prillit.