Ambasadori Zingraf shpjegon ligjin: Ja rregullat e reja për punësim në Gjermani
Në 1 mars ka hyrë në fuqi ligji i ri për fuqinë punëtore në Gjermani, i cili i referohet forcave të kualifikuara të punës jashtë BE.
Aktualisht, në vend mungojnë më shumë se 1 milion vetë fuqi punëtore e kualifikuar. Për këtë arsye qeveria gjermane u hodh në veprim duke miratuar ligjin e ri për fuqinë punëtore të kualifikuar.
Këtu nuk hyjnë vetëm njerëzit që kanë përfunduar universitetin, por edhe ata me shkollim profesional, që ka zgjatur të paktën dy vjet dhe është i krahasueshëm me shkollimin gjerman. Çertifikatat apo diplomat duhet së pari të njihen në Gjermani.
Për më shumë lidhur me këtë çështje ka folur ambasadori Peter Zingraf i cili thotë:
“Për të përfituar nga Ligji i ri për Fuqinë Punëtore është e rëndësishme: Fillimisht bëni njohjen e kualifikimeve dhe më pas aplikoni për vizë.
Diplomat e huaja universitare dhe kualifikimet profesionale si rregull duhet të njihen fillimisht nga institucionet gjermane. Si mund ta bëni këtë, kujt duhet t’i drejtoheni, këtë e gjeni në faqen e internetit të Ambasadës Gjermane.
Në Shqipëri po shohim vitet e fundit një kërkesë të madhe për viza punësimi në Gjermani. Rregullat e njohur, veçanërisht aksesi i lehtësuar në tregun e punës gjerman për punonjësit e pak ose aspak të kualifikuar, mbetet ende në fuqi. Ne në ambasadë do bëjmë më të mirën tonë për t’u shërbyer sa më shpejt të jetë e mundur personave që kanë bërë tashmë një aplikim.
Por ne kemi për momentin një kohë pritjeje më të gjatë se një vit për aplikuesit shqiptarë pa kualifikim profesional ose diplomë universitare.
Më lejoni të theksoj në këtë kontekst se qëllimi ynë që prej 30 vitesh është të përmirësojmë shanset dhe mundësitë këtu në Shqipëri. Për këtë kemi financuar që prej vitit 1988 projekte të bashkëpunimit për zhvillim në vlerën e mbi një miliard eurove.
Këtu e kam fjalën kryesisht për projekte të infrastrukturës, si fuqizimi me ujë të pijshëm, por veçanërisht edhe për zhvillimin e turizmit, zhvillimin rural, mbështetjen e Startup-eve dhe arsimin dual profesional. Prandaj informohuni edhe për perspektivat në Shqipëri, për shembull te Qendra Gjermane e Informacionit për Migracionin, Arsim Profesional dhe Karrierë (DIMAK) në Tiranë dhe Shkodër”.