Ambasadorja e BE-së shkon tek Autoriteti i Dosjeve
Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann, viziton Autoritetin e Dosjeve.
Ambasadorja Christiane Hohmann zhvilloi vizitën e saj të parë për këtë vit në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Vizita vjen disa ditë pas emërimit të znj. Gentiana Sula, kryetare. Në këtë vizitë Ambasadorja Hohmann shoqërohej edhe nga znj.Frédérique Hanotier, zyrtar përgjegjëse për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë, në delegacionin e BE-së Tiranë.
Delegacioni dhe kreu i saj u prit nga kryetarja dhe anëtarët e Autoritetit, ku u njohën nga afër me punën e institucionit, sfidat e tashme e të ardhme, dhe me hapësirat e reja ku zhvillon veprimtarinë Autoriteti.
Bashkëpunimi mes AIDSSH dhe BE në projektin “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit; të zhdukurit në komunizëm”, zbatuar me ICMP, si dhe finalizimin e produkteve si udhërrëfyesi për drejtën e familjarëve në inicimin e praktikave për qartësimin e të fatit të familjarit të të zhdukurit, raportimin e lokacionit etj. ishte në qendër të bisedimeve.
Në kuadër të kësaj vizite u diskutua edhe lidhur me përfundimet e Progres- Raport e BE-së për vitin 2021, për zbatimin e të drejtave themelore në trajtimin e çështjes së personave të zhdukur në komunizëm në të cilin theksohet se “zgjidhja e rasteve ka mbetur e ulët pjesërisht për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve dhe vullnetit politik për të krijuar një mekanizëm efikas të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përkatëse dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje”.