Ambasadorja e Francës: Duam rezultate konkrete për çeljen e negociatave
Ambasadorja e Francës në vendin tonë, Christine Vasac tha se dera e BE për Shqipërinë është gjithmonë e hapur. Nga Korça, Vasac u shpreh se e rëndësishme është të vazhdohet me reformat, ndërsa theksoi se partitë politike duhet të kenë vullnet për të zbatuar ligjet.
Vasac: Doja të përsërisja atë që tha Macron për këtë çështje. Ideja është që duhen marrë iniciativa në mënyrë që të përpiqet të gjendet një mënyrë e re e funksionimit të BE. Kjo është e vlefshme si për anëtarët e BE, një kontekst që në Shqipëri ndoshta nuk mund të kuptohet aq drejtë sa duhet, që ka të bëjë me Brexit dhe është e vlefshme edhe për vendet e ardhshme anëtare. Ai ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave është edhe Shqipëria kanë vokacion që të jenë në të ardhmen në BE. Franca nuk ka qenë asnjëherë kundër. Ka pasur thjesht disa interpretime që nuk korrespondojnë me të vërtetën. Po jua them edhe në shqip, “dera është e hapur”. Kjo do të thotë dy gjëra, së pari që reformat të vazhdojnë dhe të kenë rezultate konkrete. Nuk mjafton të miratohen ligje, ato duhet të zbatohen. Kjo kërkon vullnet politik të të gjithë palëve si të qeverisë ashtu edhe opozitës.