Ambasadorja franceze: Për Shqipërinë vendimin e marrim në samitin e Zagrebit

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak reagon për herë të parë pas vendimit të Francës kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Nga qyteti i Elbasanit, ambasadorja Vasak theksoi se vendimi për vendin tonë do të merret në maj të 2020-s, në samitin e Zagrebit.

Ambasadorja franceze theksoi se presidenti Emmanuel Macron është shprehur qartë për mbështetjen që do t’i japë Shqipërisë dhe vendeve të tjera që kërkojnë hapjen e negociatave.

“Vendimi i Këshillit Evropian nuk i mbyll dyert Shqipërisë. Është vendim solemn, por jo mbyllje e dyerve definitive për Shqipërinë. Është lënë një takim në vazhdim gjatë Samitit të Zagrebit. Ky samit është i rëndësishëm sepse Kroacia merr Presidencën e Këshillit Evropian dhe të gjitha vendet e BE-së do të luajnë një rol të rëndësishëm sepse duhet të ketë një vendim unanim. Në këtë takim të rëndësishmë do të diskutohet për ecurinë e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj. Presidenti i Francës është shprehur qartë për mbështetjen që do t’i japë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të tjera pretendete për hapjen e negociatave”, është shprehur ambasadorja.

Parisi është vendosur në qendër të kritikave sa i përket vetos së vendosur për hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin. Përveç shteteve anëtarë të BE-së, kritikat kanë ardhur nga Uashingtoni, duke paralajmëruar se vendimi francez i hap rrugë depërtimit të Rusisë, Kinës dhe Turqisë në Ballkanin Perëndimor.

SHKARKO APP