Ambasadorja Kim në Forumin Ekonomik të Tiranës: Kam shumë shpresë tek Shqipëria, por nuk është pa rrezik e sakrifica
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Tiranës duke mbajtur fjalën e saj mbi pikëpamjet për Shqipërinë dhe zhvillimet në vend.
Znj.Kim deklaroi se ka shumë shpresë tek Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, por duhet rrezikuar dhe sakrifikuar.
Ajo deklaron qartë se shqetësimi kryesor i SHBA mbetet korrupsioni, si në gjyqësor dhe në politikë prandaj edhe u inicua Reforma në Drejtësi. Sa i përket kësaj të fundit, ambasadorja amerikane thotë qartë se ka filluar të japë fryte dhe me Gjykata të pastra Shqipëria do të ketë më shumë investime të huaja më të mëdha, më shumë vende pune dhe drejtësi të paanshme.
FJALA E AMBASADORES SË SHBA
Dua ta filloj duke falënderuar organizatorët e Forumit Ekonomik të Tiranës që më kanë ftuar këtu sot. Jam e kënaqur që në panel më bashkohen Thanos Dokos dhe miqtë e mi të mirë Fabrizio dhe Peter, për të diskutuar mbi stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkan.
Le të fillojmë me atë që unë besoj se është besimi ynë kryesor i përbashkët: Një rajon më i fortë i Ballkanit Perëndimor do të thotë një Europë më e fortë dhe një partneritet më i fortë transatlantik. Një rajon në paqe dhe i integruar me veten dhe fqinjët e tij të BE do të lejojë investitorët e huaj ta shohin rajonin si një vend të stabilitetit dhe mundësive. Një vend ku integrimi më i madh ekonomik dhe lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe personave do t’u mundësojë njerëzve, industrive dhe vendeve të kenë begati, stabilitet dhe mundësi më të mëdha.
Pozicioni i SHBA në Ballkanin Perëndimor ka qenë dhe do të mbetet i përqendruar në një rajon në paqe me veten dhe me fqinjët e tij; një rajon që është i qëndrueshëm, i begatë dhe i integruar në kuadrin europian dhe euro-atlantik. Ne besojmë se integrimi i të gjithë Ballkanit Perëndimor, i të gjashtë vendeve, e bën Europën, partnerin tonë, më të fortë. Angazhimet e përtërira – më së fundmi në Samitin e Sofjes – për integrimin evropian, për Marrëveshjen e Europës Qendrore për Tregtinë e Lirë (CEFTA), dhe për Procesin e Berlinit, të kombinuara me nismat e kohëve të fundit, si “Korridoret e gjelbra” dhe përparimi në sigurinë 5G dhe standardet digjitale, u provojnë drejtuesve të rajonit se begatia vjen nga partneriteti.
Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi ekonomik nuk janë vetëm thelbësore për rimëkëmbjen ekonomike pas COVID-it, por edhe për konkurreshmërinë afatgjatë të rajonit. Shtetet e Bashkuara duan të punojnë me të gjitha palët për të siguruar që secili vend të maksimizojë përfitimet nga integrimi më i madh.
Për të përmbushur plotësisht potencialin e tyre, vendet e rajonit duhet të bëjnë më shumë sesa një angazhim publik për rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal. Ata duhet të ndërmarrin veprime reale për të ecur përpara në reformat e vështira, për të zgjidhur çështje të vështira politike brenda vendit dhe me fqinjët, për të forcuar demokracitë e tyre shumë-etnike dhe gjyqësorët, dhe për të ecur drejt një të ardhmeje më të begatë, më të integruar – një pikë e përmendur në Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Europian.
Për Shqipërinë, kjo do të thotë që duhet të bëhet më shumë brenda vendit për të forcuar institucionet dhe ekonominë e Shqipërisë. Korrupsioni mbetet një shqetësim kryesor i Shteteve të Bashkuara si në gjyqësor ashtu edhe në politikë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë punuar ngushtë me partnerët tanë shqiptarë për të nxitur një proces të dhimbshëm të reformës në drejtësi. Kjo ka filluar të japë fryte dhe, me gjykata të pastra do të shohim investime të huaja më të mëdha, më shumë vende pune për të rinjtë e talentuar të vendit dhe drejtësinë e paanshme të shumëpritur të sistemit gjyqësor nga ata që kanë nevojë.
Gjithashtu besojmë se lidhja e ekonomive të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë një prioritet dhe se duke bërë këtë, rajoni do të bëhet një zonë më tërheqëse e investimeve. Ekonomistët vlerësojnë që PBB i rajonit mund të rritet me shtatë për qind nëse Shqipëria dhe vendet e tjera në rajon zbatojnë së bashku reformat e nevojshme për integrimin në nivelin e BE.
Integrimi më i madh ekonomik në rajon dhe me BE-në është absolutisht thelbësor nëse shtetet që duan anëtarësim shpresojnë të rritin ekonomitë e tyre, të kundërshtojnë influencat keqdashëse, të ndalojnë rrjedhjen e jashtëzakonshme të trurit në rajon dhe të krijojnë vrullin e nevojshëm për anëtarësimin përfundimtar në BE.
Ne duam ta shohim Shqipërinë të bëhet një partnere më e fortë, më e aftë, të bëhet më tërheqëse si një destinacion për investime dhe më e gatshme dhe e aftë për të marrë role udhëheqëse në rajon dhe në Europë.
Më pyesin rregullisht se si mund të udhëheqë dhe të tregojë forcë, Shqipëria. Mua më vijnë ndër mend sektorë dhe zona të caktuara. E para është energjia. Ndryshimi i klimës është sfida e jetës sonë dhe ne po jetojmë në një cep të Evropës, që përballet me sfida të mëdha nga varësia në termocentralet e vjetëruara me qymyr, që janë disa nga më ndotësit në Evropë.
Nga njëra anë Shqipëria është e lakmuara e rajonit, me gati 100% prodhim hidrik. Nga ana tjetër, ajo varet nga infrastruktura aktuale e hidrocentraleve, duke e bërë të cënueshme nga mungesat hidrike. Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura ta shohin Shqipërinë duke punuar me kompani amerikane dhe europiane për të zgjeruar prodhimin dhe për t’i dhënë larmi burimeve të saj të energjisë, për të përfshirë solarin dhe gazin e lëngshëm natyror. Ne po shohim një arkitekturë të re të energjisë që po shfaqet në rajon dhe projektet e ndryshme në zhvillim këtu – nga Skavica në Vlorë – do ta pozicionojnë Shqipërinë për të ndihmuar në zgjidhjen e sfidave të energjisë dhe çështjeve të ndryshimit të klimës, jo vetëm për Shqipërinë, por për Ballkanin Perëndimor dhe vendet e BE-së gjithashtu.
Shqipëria ka treguar se mund të jetë e fortë edhe në forumin ndërkombëtar. Siç e kanë bërë të qartë Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken, është e domosdoshme që vendet me të njëjtin këndvështrim të bashkohen për të kundërshtuar përpjekjet e Kinës për të minuar sistemin ndërkombëtar – rregullat, vlerat dhe marrëdhëniet – që kemi luftuar kaq shumë për t’i krijuar. Shqipëria ka qenë një udhëheqëse në mbrojtjen e infrastrukturës së saj kritike nga aktorët keqdashës, duke përfshirë edhe zmbrapsjen e pajisjeve teknologjike nga Huaëei dhe ZTE. Lejimi i furnitorëve kinezë të telekomunikacionit si Huaëei ose ZTE të marrin pjesë ose të kontrollojnë ndonjë pjesë të një rrjeti 5G, krijon rreziqe të papranueshme për sigurinë kombëtare, infrastrukturën kritike, privatësinë dhe të drejtat e njeriut. Ne i përshëndesim veprimet e Shqipërisë dhe nxisim të tjerët të ndjekin shembullin e saj.
Kam shumë shpresë te Shqipëria dhe rajoni, por nuk është pa rrezik dhe sakrifica gjatë rrugës. Me reforma të vazhdueshme, veçanërisht në luftimin e korrupsionit dhe të pandëshkueshmërisë, gjërat mund të ndryshojnë, dhe do të shohim më shumë mundësi për Shqipërinë, si dhe për të gjithë rajonin.