AMC dhe GIZ modernizojnë Ambulancat në Theth e Razëm

 

Banorët e zonës së Thethit dhe Razmës, por edhe mijëra turistë që do të vizitojnë këto treva do të kenë mundësi të marrin një shërbim shëndetësor të standardeve të larta, falë projektit të AMC dhe GIZ për të modernizuar Ambulancat në Alpet e Shqipërisë. Ky investim pajisi me mjete moderne shëndetësore dhe komunikimi Ambulancat këtyre dy fshatrave. Seti i pajisjeve mjekësore që AMC dërgoi ishte ndër më modernët dhe përmban të gjitha mjetet që një Ambulancë e tillë duhet të ketë. Kërkesat e për modernizim u identifikuan nga  Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe AMC mundësoi plotësimin e tyre. Gjatë një vizite në këto dy ambulanca, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u shpreh se kjo është një nisje e mirë përpara sezonit turistik.

“Unë besoj se kjo ndihmë e AMC është e duhura për turizmin dhe për t’i dhënë mundësi të gjithë bukurive që Zoti i ka falur Razmës, Thethit dhe gjithë Malësisë së Madhe për t’i shfrytëzuar në përfitim të drejtpërdrejtë për komunitetet që jetojnë këtu. Unë dua të falënderoj AMC dhe GIZ për mbështetjen me pajisje të 3 Ambulancave shëndetësore të Veriut, Razmën, Thethin dhe Valbonën.”,- tha Beqaj.

Ashtu si Ambulanca e Valbonës, edhe dy qendrat e tjera shëndetësore janë në funksion të plotë për çdo emergjencë që mund të paraqitet, jo vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe gjatë periudhave të vështira të dimrit. Ndër pajisjet kryesore që AMC mundësoi ishte vendosja e një kompjuteri, lidhja e qëndrueshme e internetit dhe kamera, nëpërmjet të cilave personeli mjekësor mund të komunikojë me Spitalet Rajonale të Shkodrës dhe Tiranës.

Ambulancat e Valbonës, Razmës dhe Thethit janë pjesë e projekteve të ndryshme në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të AMC. Me modernizimin e shërbimit shëndetësor në Alpet shqiptare banorët dhe turistët që vizitojnë këto treva do të gjejnë një shërbim të shpejtë dhe cilësor në rastet e nevojës. AMC do të investojë në mënyrë të vazhdueshme për institucionet publike dhe përmirësimin e shërbimit të tyre.

SHKARKO APP