AMC dhe UNICEF, paketa edukuese për nxënësit

 

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare do të kenë në dispozicion një paketë edukuese të quajtur “Toka e rreziqeve”. AMC në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe Zyrën e Strategjisë Ndërkombëtare për Minimizimin e Katastrofave (ISDR), ka shpërndarë gjatë kësaj jave në disa shkolla të Tiranës këtë paketë, e cila përmban një libër prej 30 faqesh si dhe një broshurë informuese me anë të lojërave argëtuese.

Paketa synon të paraqesë një mjet të ri interaktiv për të mësuar më shumë rreth katastrofave natyrore dhe këtë e bën me anë të librit “Le të mësojmë për parandalimin e katastrofave” dhe lojën argëtuese “Toka e rreziqeve”. Kjo paketë u drejtohet fëmijëve dhe është hartuar duke u përshtatur me njohuritë e marra në shkollë për moshat përkatëse. Tashmë, fëmijët kanë mundësinë të mësojnë duke u argëtuar. Ata mund të marrin informacion për dukuritë natyrore, ndikimin e njeriut dhe rolin e tij në ambient e natyrë dhe masa sesi mund te ulen rreziqet nga katastrofat natyrore të tilla si tërmete, përmbytje, uragan, etj.

Gjithashtu, njohuritë e marra nga libri, fëmijët kanë mundësi t’i kontrollojnë duke luajtur në grup. Përmbajtja e paketës edukuese thekson rolin e arsimit dhe procesit të të mësuarit në zhvillimin e një kulture për parandalimin e rreziqeve. Pjesë e paketës edukuese është dhe informimi për të drejtat e fëmijëve dhe një vëmendje e veçantë i kushtohet personave me aftësi të kufizuara dhe kujdesit që duhet treguar për ta në situata katastrofash.

 

Kjo nuk është hera e parë që AMC kontribuon dhe mbështet zhvillimin e arsimit. Si pjesë aktive në projektet që kanë të bëjnë më shoqërinë, AMC është bërë pjesë e vazhdueshme e nismave të tilla që përmirësojnë sistemin arsimor dhe kulturor në vend.

SHKARKO APP