AMC & DT mbështet konkursin kombëtar “Ide të Gjelbra 2015”

 

Për të tretin vit radhazi AMC mbështet konkursin kombëtar “Ide të Gjelbra 2015”, fituesit e të cilit do të kenë përkrahje financiare dhe logjistike nga kompania për të realizuar idetë e tyre. Përmes një procesi konkurrues, organizatat e shoqërisë civile, ndërmarrjet sociale apo biznesi i vogël në vend të përfshihen në identifikimin, zgjedhjen dhe mbështetjen e ideve të gjelbra novatore që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm.

 

Shtatëmbëdhjetë finalistë prezantuan projekt – idetë e tyre gjatë dy ditëve të konkurrimit, i cili ishte i hapur për publikun dhe sektorin e biznesit. Një panel vlerësues i përbërë nga ekspertë të fushës së zhvillimit të ekonomisë, edukimit, përgjegjshmërisë sociale të biznesit, institucioneve publike dhe ndërkombëtare përzgjodhi tre idetë e gjelbra më të mira.

Si rrjedhojë, juria shpalli fituese projekte që do të zbatohen në Tiranë:

1 “Prodhimi dhe shitja e veprave të artit dhe produkteve funksionale duke ricikluar plastikë të konsumuar”, prezantuar nga “Qendra Youth Act”, ide e cila ka për qëllim krijimin e një sipërmarrjeje sociale për prodhimin e produkteve funksionale dhe të artit përmes riciklimit të plastikës, duke punësuar të rinj në nevojë;

2 “NaturALB Soaps” prezantuar nga organizata “Qendra Rinore Pa Kufij”, një nismë për prodhimin e sapunëve organikë nga bimë vajore e aromatike, duke punësuar e mbështetur fermerët.

3 “4 sy për natyrën” prezantuar nga  “Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë”, ide e cila ka për qëllim të nxisë Birdwatching (vrojtimin e zogjve) dhe mbrojtjen e biodiversitetit dhe natyrës përmes një forme të re. “4 sy për natyrën” do të vijë në trajtën e një pakete turistike të gjelbër që do të ketë formën e një sipërmarrjeje sociale.

Secila nga idetë fituese do të mbështetet financiarisht. Tre idetë fituese janë bërë automatikisht pjesë e konkurrimit në nivel rajonal, i cili do të organizohet në Kosovë nga Fondi Rockefeller Brothers dhe Partnerët Shqipëri në korrik 2015.

Veç mbështetjes financiare për “Ide të Gjelbra 2015”, AMC dhe DT dha kontribut për orientimin e drejtë të projekteve për të kuptuar nevojat që kanë shumë zona për sa i përket mbrojtjes së ambientit dhe respektimit të natyrës. Kështu, kompania celulare vijon mbështetjen e pandërprere për zgjidhjen e një prej problemeve më të ndjeshme në Shqipëri. Prej vitesh AMC dhe Deutsche Telekom ka angazhime serioze në projekte të ngjashme dhe ka arritur të realizojë me sukses gjelbërimin e qindra metrave katrorë, ndërtimin e dhjetëra hapësirave çlodhëse në Shqipëri, ka pastruar vullnetarisht me punonjësit dhjetëra kilometra bregdet, zbaton projekte për grumbullimin e mbeturinave me qëllim riciklimin e tyre si dhe ka zbatuar një sërë masash të brendshme për uljen e dioksidit të karbonit dhe kursimin e energjisë .

SHKARKO APP