“Amerika s’e ka problem realizimin e Shqipërisë së Madhe”

 

Kryetari i Këshillit për Kontroll të Shërbimeve të Sigurimit të Kuvendit serb, Momir Stojanovic, konsideron se, krahas ekstremizmit dhe terrorizmit ndërkombëtar, rreziku kyç nga aspekti i sigurisë për Serbinë është realizimi i projektit të “Shqipërisë së Madhe”.

Stojanovic ka thënë për numrin e sotëm të “Veçernje novosti”, se s’përjashtohet që vala e terrorizmit, e nisur nga Maqedonia, të shpërndahet edhe në Serbi, edhe pse institucionet e vendit kanë ndërmarrë të gjitha masat parandaluese.

 

Sipas tij, rrezik më të madh potencial paraqet rajoni i Luginës së Preshevës dhe se ai është një pikë me rëndësi strategjike.

“Nëpër të kalon komunikimi kyç rrugor dhe hekurudhor, ndërsa planifikohet edhe gazsjellësi ‘Rrjedha turke’.

Është e mundur që fuqitë e mëdha të cilave nuk u intereson ai projekt të kenë goditur hallkën më të dobët të zinxhirit – Maqedoninë. Serbia duhet të ketë kujdes që, duke luftuar për veriun e Kosovës e Metohisë, të mos e humbë jugun e Serbisë qendrore”, ka thënë, raporton Kosovapress.

I pyetur se kush vërtet drejton terroristët, Stojanovic ka thënë se “nuk është sekret” se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “për çështjet e krimit të politikës në Ballkanin Perëndimor, mbështeten te korpusi shqiptar”.

“Amerika nuk e ka problem realizimin e ‘Shqipërisë së Madhe’, sepse kjo nuk është kërcënim për sigurinë e tyre dhe për interesat e tyre. Në anën tjetër, Bashkimi Evropian frikohet nga ‘Shqipëria e Madhe’ sepse ky projekt paraqet burim të jostabilitetit në këtë pjesë të botës”, ka thënë ai.

Sipas Stojadinovicit, të gjithë politikanët shqiptarë në rajon janë “një tru”.

“Ndarja mes tyre është e tillë që njerëzit dërgojnë mesazhe paqësore, ndërsa të tjerët radikale dhe ekstreme. Dhe si me buton janë të gatshëm t’ua shkelin syrin terroristëve për t’u nisur në aksion kur duhet. Kjo, kur atyre t’ua shkelë syrin dikush nga anash”, ka thënë gjenerali Stojanovic.

SHKARKO APP