Amnistia, Manjani: S’përfitojnë ata që janë në procedim e sipër

 

Nga amnistia e fundvitit do përfitojnë të miturit, të moshuarit dhe gratë, teksa përjashtohen prej saj shtetasit që janë në proçedimi penal e sipër.

Këtë e bëri me dije sot vetë ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, sipas të cilit, dënimi penal nuk është zgjidhja e problemit.

 “Ne e shohim dënimin penal jo si pikë fundore, por si një mundësi për të riedukuar personin që ka shkelur ligjin, prandaj dhe inkurajoj gjykatat të vlerësojnë më shumë dënimet alternative, të cilat janë sipas standardeve europiane. Duhet të dimë se një burgosur i kushton shumë shtetit, 800 euro në muaj dhe një politikë e tillë, pra amnistia, i vjen në ndihmë edhe buxhetit, edhe gjendjes së burgjeve dhe vjen në respektim edhe të rekomandimeve të Avokatit të Popullit”, tha Manjani.

Kurse sa i takon reformës në drejtësi, ministri i Drejtësisë tha se është shumë e rëndësishme forcimi prokurorisë, si organ përgjegjës dhe zot i procesit hetimor.

“Reforma në drejtësi në bazë duhet të ketë besimin që qytetarët duhet të kenë në këtë sistem. Gjithë problematika lind nga hetimet, të cilat nuk janë totalisht në dorën e prokurorit, pasi në mes hyn edhe hetimi policor dhe kur në mes janë kaq shumë hallka, dosja është vështirë të qepet siç duhet dhe më pas vendimet janë gjithnjë të dyshimta dhe lënë hapësirë për zhgënjim”, tha Manjani.

SHKARKO APP