Amnistia Penale, Idrizi: PDIU gati të japë votat për votimin në Kuvend, nuk marrim leje nga PD-ja
Pasi votuan PRO për marrëveshjen Rama-Meloni për strehimin e refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër, PDIU-ja është gati të bashkojë votat me PS-së edhe për Amnistinë Penale.
Shpëtim Idrizi nënvizon gatishmërinë e forcës së tij politike për të votuar pro amnistisë penale në Kuvend. Për të sot Shqipëria ka një mbipopullim në burgje dhe barrë të madhe buxhetore për trajtimin e të dënuarve.
”Parlamenti si i tillë është vendi i uljes, negociatave dhe arritjes së kompromiseve për ato ligje që i bëjnë mirë vendit. Edhe akti i amnistisë është një akt mëshire që e bën parlamenti i Shqipërisë dhe jo forcat politike për t’i dhënë mundësi një kategorie të caktuar të dënuarish, sidomos ata me dënime të ulëta që të kenë mundësi të gëzojnë një falje nga ana e shoqërisë”, tha Idrizi.
Po ashtu Idrizi u shpreh i bindur se në fund do ta gjejnë marrëveshje për amnistinë. Duke folur për situatën në opozitë, ai tha se sot PD s’po pranon mendimin ndryshe brenda vetes dhe jo më të pranojë ide të partive të tjera sovrane.
“Në këto dy vite e gjysmë kemi parë luftë civile brenda PD. PDIU s’ka pse t’i marrë leje askujt dhe si ka asnjë borxh askujt për vendimmarrjen e saj”, tha Idrizi.