Analistët grekë: Mitsotakis të mos ngutet me Belerin. Rama ka në krah SHBA dhe BE
Dënimi me dy vite burg i Fredi Belerit i ka zbehur komentet në Greqi për atë që tashmë njihet si “çështje Beleri”. Sipas analistëve të çështjeve politike në Greqi, Athina ka tre alternativa: E para veton në ecurinë europiane të Tiranës, e dyta të vendosë sanksione dypalëshe dhe e treta të presë deri në vendimin e apelit.
Analistët në vendin fqinj arrijnë në përfundimin se me veprimet bllokuese ndaj Shqipërisë, Athina do të përballet me presione nga BE dhe NATO, për arsye gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Sipas burimeve diplomatike cituar në gazetën “Kathimerini”, alternativa e dytë për Athinën, vendosja e sanksioneve dypalëshe, është akoma më e vështirë.
Sipas prof. Angelos Syrigos, “Shumica e diplomatëve grekë me përvojë, shprehin pikëpamjen se Edi Rama duket se beson se kontaktet e mira që ka në Washington, Bruksel dhe kryeqytete të tjera perëndimore i siguron epërsi kundrejt Greqisë. Ndaj, e vetmja gjë që mbetet është ruajtja e qëndrimit të ashpër nga ana e Athinës, për arsye prestigji, qoftë dhe pa përfitime reale”.
Sipas shumicës së analistëve të njohur (Papachelas, Ligeros, Nedhos, Pappas, Tsiarras etj, Athina duhet të ndjekë alternativën e tretë, domethënë “të pritjes së zhvillimit të gjyqit të shkallës së dytë dhe të vendimit përkatës”, që të gjithë parashikojnë se do të rivërtetojë vendimin e shkallës së parë. Greqia mund ta përdorë për të fituar kohë të çmuar, për të qetësuar opinionin publik grek, për të testuar palën shqiptare dhe për të planifikuar politikën e ardhshme.