Analisti flet për “plagën më të madhe”: Po shkojmë tek demokracia pa popull
Analisti Arian Vasjari deklaroi se plaga më e madhe e shoqërisë tonë është fakti se shqiptarët nuk e ndjejnë më atraksionin për vendin e tyre. Teksa bëri një parashikim pesimist të situatës në vend, Vasjari ngriti alarmin për dëshirën e të rinjve për t’u larguar nga vendi, ndërsa theksoi se ky është tmerr për një demokraci.
I ftuar në emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’ ku u analizua 2010-ta me të gjitha ndodhitë e saj, ai tha se vendi po shkon drejt një demokracie pa popull.
“Marr shkas nga ajo që u tha pak më parë lidhur me këtë model ekonomik, i cili mund ta ndajë pjesërisht, është problem i problemeve tona. Nuk kam kënaqësi që të jem konsekuent në pesimizmin tim, por një analizë e thjesht e fakteve përçon në konkluzionin se strukturat dhe supërstrukturat ekonomike që ndërtohen, është e vështirë të shkallmohen. Janë këto struktura ekonomike që ndërtojnë strukturat politike. Madje shkojnë dhe ndërtojnë dhe super-strukturat morale. Nëse sot në shoqërinë shqiptare gjithmonë e më shumë ka hedhur rrënje ideja e rrufjanit për karrierë, kjo në fakt është një reminishencë e atij model moral që na është imponuar. Që vetëm duke korruptuar sistemi, politikën, bën paranë dhe avancon. Ne jemi mendon unë një hap larg, për mos të thënë, jemi brenda faktit që superstrukturat e korruptuara, nuk flas për të gjithë biznesmen, se ka dhe të ndershme, janë futur deri aty sa do të na kondicionojnë për të ardhmen tonë. Ne kemi kaluar nga faza e demokracisë pa institucione, në fazën e demokracisë pa popull. Plaga më e madhe e jona si shoqëri është se shqiptarët nuk ndjejnë më atraksion për Shqipërinë. Të rinjtë shqiptar nuk ndërtojnë dot më një projekt në Shqipëri dhe kjo është tmerri i një demokracia, i një kombi. Kam të bëjë çdo ditë me student, dhe e kam të pamundur që të gjejë dike që të projektojë të ardhmen e tij. Të gjithë duan që të ndërtojnë habitatin e tij diku jashtë kësaj gjeografie. Tashmë Shqipëria është vetëm një gjeografi dhe jo afeksion. Ne po shkojmë tek demokracia pa popull. Do kemi dhe ne politikën tonë, partitë tona, parlamentin tonë, por në funksion të kujt? Por ama nga ana tjetër, kjo arrati e shqiptarëve, kjo nevojë e tyre për të ikur, na heq çdo lloj argumenti dhe sensi të diskutimeve tona. Ky është një vend që për popullin e tij nuk vlen më. Diku jashtë mund të ndërtojnë jashtë jetën. Kjo më shqetëson. Ajo çka ne nuk mund të bëjmë dot kurrë është a mund ta ndalim dot këtë arrati, të shmangin zbrazjen e vendit.”, -pohoi ai.