Analisti i njohur i SHBA: Protesta do sjell ndryshimin politik

Intervistoi Egon Loli

Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Janusz Bugajski, vjen në një intervistë ekskluzive për SHTV. Ai flet për protestën e madhe të opozitës, raportet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me liderin e opozitës Basha dhe kryeministrin Rama.

Zoti Bugajski ju falenderoj që pranuat të zhvillojmë këtë bisedë mbi zhvillimet shqiptare në rajon.

Faleminderit dhe ju!

Cili është opinioni juaj në lidhje me deklaratat e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve me Serbinë? E shikoni këtë si një projekt që do të ketë impakt negativ për shqiptarët dhe më përgjithësisht në Ballkan në të ardhmen e afërt?

Unë nuk mendoj se do të ketë një korrigjim kufijsh domosdoshmërisht. Unë mendoj që pala amerikane ka thënë se kjo është diçka që mund të shqyrtohet me shpresën se mund të arrihet një zgjidhje përfundimtare në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit. Siç mund ta kujtoni, verën e fundit çështja e territoreve doli në pah papritmas ndërkohë që më parë kishte qenë një tabu dhe një vijë e kuqe e pakapërcyeshme ndërsa befas mundësia që të arrihej një marrëveshje. Sigurisht që ka rrjedhime të rrezikshme që mund të vijnë nga një marrëveshje e tillë nëse do të arrihet edhe pse unë kam dyshimet e mia nëse do të ketë një marrëveshje të tillë.

Çfarë mendimi keni për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe? Është ky një vendim i duhur i kryeministrit Ramush Haradinaj?

Unë do të thoja jo. Nëse tensionon marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, jo.

Pse do t’i tensiononte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara?

Sepse Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft kokëfortë në bindjen e tyre se kjo do të minonte marrëdhëniet të cilat ato po përpiqen të përmirësojnë. Me fjalë të tjera, nëse Uashingtoni po përpiqet që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje, atëherë, vendosja e një takse të lartë mbi Serbinë do të rrezikonte marrëveshjen. Megjithëse unë prirem të mendoj se nëse je duke negociuar me një palë tjetër, ti nis me propozime të forta dhe lëshon disa prej tyre, bën kompromis në disa prej tyre. Unë shpresoj që kjo tarifë 100% ose do të pezullohet ose do të zvogëlohet si shenjë e vullnetit të mirë nga Prishtina. Do të ishte mjaft e rëndësishme sepse mund të çonte në fërkime të panevojshme me Uashingtonin, gjë për të cilën Kosova nuk ka nevojë tani.

Cili është mendimi juaj për fazën finale të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë? Është kjo gjëja e duhur për t’u bërë apo e shihni si diçka të nxituar nga ana palës shqiptare?

Personalisht mendoj se sa më shpejtë që Kosova të normalizojë, nëse ju pëlqen kështu, marrëdhëniet me Serbinë, hyn në Kombet e Bashkuara, hyn në rrugën e njohjes nga pesë shtetet e BE të cilat nuk e kanë njohur dhe nis procesin e anëtarësimit në Nato. Kjo është sigurisht më mirë për rajonin dhe më mirë për kombin shqiptar në rajon. Unë nuk mendoj se në këtë mes ka diçka të nxituar. Ndërkohë, ajo çka më shqetëson paksa mbeten këto shpresat e shumta për shkëmbimin e territoreve që mund të mos çojnë në ndonjë gjë të madhe ose mund të krijojnë ndjeshmëri të këqija, fërkime në rajon si rezultat. Këtu unë mendoj se dora ruse duhet të survejohet me shumë kujdes.

A perceptoni se ndikimi rus në Ballkan po nxit projektin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Mendoni se ndonjë nga politikanët shqiptarë është pjesë e këtyre influencave/ndikimeve?

Mendoj qartësisht se po. Mendoj se Kremlini është i gatshëm të pranojë dhe lejojë shkëmbime territoriale në Ballkan në mënyrë që të përfitojë përparësi strategjike për veten. Si mund ta bëjnë këtë ata? Së pari mund të vendosin precedent për aneksimin e Krimesë dhe ndoshta rajone të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik si Gjeorgjia, Moldavia apo vende të tjera në rajon. Së dyti mund të nisin një manovër diplomatike në Ballkan për ndryshime territoriale që do të çonin në destabilitet, të cilin Rusia do ta eksportonte në avantazhin e vet. Po flas specifikisht për entitetet serbe në Bosnje-Hercegovinë, të cilat, si rrjedhim i ndonjë marrëveshjeje territoresh Kosovë Serbi, gjithashtu mund të kërkojnë një marrëveshje territoresh me Bosnjën, me fjalë të tjera të kërkojnë bashkim me Serbinë në shkëmbim të Sanxhakut. Kështu që mund të kemi një spirale konfliktesh të cilën Rusia mund ta shfrytëzojë bukur mirë dhe kjo pengon stabilitetin në rajon.

Cili është parashikimi juaj për protestën e opozitës shqiptare në Tiranë? A mendoni se do të sjellë ndryshime politike të rëndësishme?

Është mirë të protestosh, është mirë të shfaqësh pakënaqësi, është mirë të organizohesh dhe është mirë të kesh një alternativë. Kjo si protestë kundër qeverisë duhet të kanalizohet në veprim politik. Gjithashtu duhet të ketë përfshirje masive të njerëzve që të sjellin ndryshim. Duhet të ushtrohet presion. Çdo qeveri e cila perceptohet si e korruptuar monopolizon hapësirën publike për rritur kontrollin mbi vendin. Unë jam pro protestës, për sa që është paqësore dhe përsa kohë që është e kanalizuar politikisht për të sjellë ndryshime në strukturën politike të vendit.

Kjo protestë e organizuar nga opozita ka për qëllim të sjellë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij në mënyrë që të përgatisë vendin për zgjedhje të lira e të ndershme sepse siç shprehet opozita, qeveria pamundëson mekanizmin e zgjedhjeve duke i manipuluar dhe blerë zgjedhësit. A mendoni se është tani koha për rotacion politik në Shqipëri mes dy partive kryesore apo edhe forcave të reja të cilat mund të dalin nga kjo situatë?

Unë kam qenë në Shqipëri, kam udhëtuar shumë shpesh aty që prej rënies së komunizmit. Një prej problemeve që unë kam konstatuar në Shqipëri është polarizimi mes dy partive të mëdha. Kur njëra prej tyre vjen në qeveri, tjetra e akuzon për monopolizim të pushtetit, për korrupsion, për favorizim ekonomik etj., e po njësoj ndodh kur vjen në qeveri edhe partia tjetër. Do të ishte mirë të kishte një forcë të tretë politike. Një forcë e re më kumbuese që të mund të sfidojë dy partitë e mëdha. Por kjo duhet të vijë prej procesit politik. Protestat masive e kanalizojnë energjinë publike në aktivitet politik, ato nuk janë zëvendësuese të tij. E thënë ndryshe, pa patur një revolucion në vend, të cilin unë nuk do ta këshilloja, duhet të ushtrohet presion mbi politikanët, nëse është mjaftueshëm presion publik për të thirrur zgjedhje të parakohshme. Por kjo duhet të jetë pjesë e procesit, nu kmund të jetë jashtë sistemit.

Me aq informacion sa ju keni a e gëzon mbështetjen e perëndimit kryeministri Rama dhe e njëjta pyetje për liderin e opozitës Basha?

Për aq sa unë di, të dy ata kanë mbështetje sepse të dy janë pjesë e atij që ende shihet si sistem demokratik. Unë e di që shqiptarët po protestojnë sepse ende nuk është një demokraci e mirëfilltë por edhe demokracitë kanë të metat e tyre, mund të jenë të korruptuara, mund të kenë probleme që duhen zgjidhur. Por kjo nuk do të thotë se qeveria dhe kryeministri nuk pranohen nga Uashingtoni apo Brukseli si qeveri legjitime e Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë për përfaqësim më të mirë në sytë e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Deri kur të ketë zgjedhje dhe të zgjidhet kryeministri i ri, kryeministri Rama do të ketë mbështetje ndërkombëtare. Sigurisht gjithmonë nëse nuk ka zhvillime të mëdha apo kriza që mund të përfshijnë vendin, s’mund të bëjmë gjë tjetër përveçse kritikës së zakonshme. Kështu që po, sa i përket pyetjes suaj ai ka mbështetje si kryeministri legjitim i vendit.

Në dijeninë tuaj, ç’vend zë Shqipëria në interesat e Administratës Amerikane dhe Departamentit Amerikan të Shtetit? A po i ndjekin ata nga afër zhvillimet në Tiranë gjatë kësaj kohe kur këtu nuk ka ende një ambasador?

Sinqerisht mendoj se fokusi ka qenë i jashtëzakonshëm në zgjidhjen e konfliktit mes Maqedonisë dhe Greqisë, zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi dhe një hap i tretë do të ishte përpjekja për të arritur një marrëveshje të re mbi Bosnjë Hercegovinën. Fatkeqësisht nuk ka patur vëmendje të mjaftueshme mbi Shqipërinë. Ka një numër ambasadorësh të cilën nuk janë emëruar ende. E para për shkak të ngadalësisë së kësaj administrate, së dyti për shkak të ngadalësisë së Senatit për t’i konfirmuar në detyrë. Nuk do të thoja se Shqipëria domosdoshmërisht po shihet negativisht në Uashington. Në shumë aspekte do të thotë se s’ka qenë në fokus sepse nuk kemi parë problemet në Shqipëri. Nëse do të ketë një përshkallëzimi të protestës, nëse do të ketë përshkallëzim të konfliktit politik, atëherë mendoj se ambasadori i ardhshëm amerikan do të dërgohet më shpejtë në Shqipëri.

Pjesa më e madhe e investitorëve në Shqipëri janë janë Rusë ose Kinezë dhe më pak nga perëndimi psh nga Shtetet e Bashkuara apo Gjermania, Franca, etj. A mendoni se kjo është e vërtetë? A është ky një problem dhe pse?

Po, në fakt shumë investime ruse dhe kineze janë problem sepse nuk janë vetëm investime. Në rastin e Rusisë janë specifikisht investime politike. Me fjalë të tjera, jo të gjithë por shumica e investitorëve që investojnë jashtë Rusisë janë të lidhur me Kremlinin, janë të lidhur me agjensitë e inteligjencës ruse dhe u shërbejnë qëllimeve të caktuara jo thjeshtë fitimit të parave por nënshtrimit të atij vendi dhe asaj qeverie ndaj politikës Ruse, kundër politikës së perëndimit. Në rastin e Kinës, bëhet fjalë për një rrezik më afatgjatë. Kina ka ambicie të shtrijë kontrollin e vet, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë evropën në mënyrë që të kontrollojë shumicën e ekonomive, sektorë specifikë të ekonomisë. Unë do të thoja këtë që Kina është rrezik afatgjatë për sigurinë dhe demokracinë e Evropës ndërsa Rusia është rrezik afatshkurtër për të dyja.

Zoti Bugajski ju falenderoj për këtë bisedë të shkurtër

Ju falënderoj edhe ju. Qëndrojmë në kontakt për zhvillime të tjera.

SHKARKO APP