Analisti Mërtiri: Berisha nuk la rrugë tjetër, arrestimi i tij i hap rrugën edhe atij të Ramës
Për analistin dhe sociologun Ergys Mërtiri, heqja e imunitetit të Berishës ishte i pritshëm, sepse kjo ishte parashikuar që kur ai u shpall non grata nga SHBA. Mërtiri deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, se amerikanët nuk do të dilnin te Rama pa mbaruar punë me Berishën dhe Metën.
Biseda në studio:
Ergys Mërtiri: Për mua ishte e pritshme dhe e kam thënë që para dy vitesh dhe e kam parë sjelljen e zotit Berisha për t’u mbrojtur nga kjo ditë. Nga mënyra se si po sillet ai nuk lë rrugë tjetër. Në momentin që u shpall non grata dhe amerikanët ndërkohë bënë SPAK-un, unë besoj se këto kanë patur lidhje me njëra-tjetrën, sepse edhe shpallja non grata u bë, duke u thënë se ka një dosje dhe kjo do të vijë në Shqipëri. Nuk e di nëse ka ardhur, por në frymën që po prodhohet, kjo do të vijë. E shoqëruar kjo edhe me faktin se z. Berisha gjatë gjithë kësaj kohe ka sulmuar SPAK-un dhe më shumë se Ramën, të bën të kuptosh se ka patur frikë nga SPAK-u.
Ylli Rakipi: Në fakt ne e kemi kërkuar atë dosje, por nuk është. Është një vendim më së shumti politik i SHBA-ve për të goditur një njeri për të cilin thonë se ka minuar demokracinë, pastaj fut edhe këto fjalët korrupsion etj. Se po t’i marrësh për korrupsion, këta duhen marrë të gjithë dhe duhen kyçur në një hapsanë të madhe.
Ergys Mërtiri: Nuk na dalin burgjet. Vetë Gabriel Escobar ka kërkuar një një institucion hetimor të vijë të na e kërkojë dosjen dhe ne ua japim. Pra nuk ka ardhur se nuk e ka kërkuar kush, sepse Berishën e kanë mbrojtur njerëzit që drejtuan SPAK-un. Ndërrimi dhe kalimi te z. Dumani dhe ne kujtojmë luftën që bëri Yuri Kim me z. Rama për të mos lejuar që SPAK-u të kapej prej tij, po i hap rrugë një sërë procesesh që kanë nisur, përfshirë edhe z. Berisha. Nuk besoj se amerikanët e kanë nisur gjithë këtë konflikt kot dhe e shoh si gjë të mirë. Arrestimi i Berishës, nëse ndodh, do t’i hapë rrugë ndoshta edhe arrestimit të Ramës.
Ylli Rakipi: Pak e vështirë kjo, sepse sistemin e ka marrë në dorë një tjetër.
Ergys Mërtiri: Për mua Berisha ka qenë garancia e Ramës. Amerikanët nuk do të dilnin te Rama pa mbaruar punë me Berishën dhe Metën.
Ylli Rakipi: Ti nuk mendon se SPAK-u, pjesa dërrmuese, ndihmon dhe shpëton Ramën?
Ergys Mërtiri: Rama ka influencat e veta në SPAK, por nuk e ka nën kontroll dhe kjo përbën rrezik për të. Dhe Rama është përpjekur ta mbrojë Berishën për të mos i ardhur radha.