Analiza e BBC/ Këshilla e Jelcin në 31 dhjetor 1999 për Putinin: Kujdesu për Rusinë. Si i përgjigjet sot lideri i Moskës

Steve Rosenberg/ BBC Moskë

Unë kurrë nuk do ta harroj natën e Vitit të Ri 1999. Isha duke punuar si producent në zyrën e BBC-së në Moskë. Papritur, pati lajme të bujshme: Presidenti i Rusisë, Boris Jelcin, kishte dhënë dorëheqjen.

Vendimi i tij për të dhënë dorëheqjen i befasoi të gjithë, duke përfshirë edhe shtypin britanik në Moskë. Kur dolën lajmet, nuk kishte korrespondent në zyrë. Kjo do të thoshte që unë duhej të merrja përsipër të shkruaja dhe transmetoja raportimin tim të parë për BBC-në.

“Borisi Jelcin gjithmonë ka thënë se do ta përfundonte mandatin e tij si president,” shkruajta. “Sot, ai u tha rusëve se kishte ndryshuar mendje.” Ishte fillimi i karrierës time si gazetar. Dhe fillimi i Vladimir Putinit si lider i Rusisë.

Pas dorëheqjes së Jelcinit, në përputhje me kushtetutën ruse, Kryeministri Putin u bë president në detyrë. Tre muaj më vonë ai fitoi zgjedhjet.
Kur u largua nga Kremlini, porosia e fundit e Jelcinit për Putinin ishte: “Kujdesu për Rusinë!” E kam gjetur veten duke i kujtuar këto fjalë të Jelcinit gjithnjë e më shumë, sa më afër drejt vitit tw tretw shkon lufta e Rusisë në Ukrainë.

Kjo sepse pushtimi i plotë i Ukrainës nga Presidenti Putin ka pasur pasoja shkatërrimtare. Kryesisht për Ukrainën, e cila ka përjetuar shkatërrime masive dhe viktima në qytetet e saj. Pothuajse 20% e territorit të saj është pushtuar dhe 10 milionë qytetarë të saj janë zhvendosur.

Por edhe për Rusinë:
Që nga vendimi i Vladimir Putinit për të nisur atë që e quan “operacion special ushtarak,” Rusia ka pësuar humbje të mëdha në fushën e betejës.
Qytetet dhe fshatrat ruse janë nën sulme të rregullta me dron. Ushtarët ukrainas kanë pushtuar një pjesë të rajonit Kursk të Rusisë. Sanksionet ndërkombëtare po i shtojnë presion ekonomisë së Rusisë. Për më tepër, situata demografike e vendit është kritike. Represioni i brendshëm është rritur me ritme të shpejta.
Kam raportuar për Putinin që kur ai erdhi në pushtet një çerek shekulli më parë.

Më 31 dhjetor 1999, kush do të kishte menduar se lideri i ri i Rusisë do të ishte ende në pushtet dy dekada e gjysmë më vonë? Apo se Rusia sot do të ishte në luftë me Ukrainën dhe në përplasje me Perëndimin? Shpesh pyes veten nëse rrjedha e historisë do të kishte qenë drastikisht ndryshe nëse Jelcini do të kishte zgjedhur dikë tjetër për ta pasuar. Pyetja, sigurisht, mbetet teorike. Historia është e mbushur me “sikur” dhe “ndoshta”. Një gjë mund ta them me siguri: për më shumë se 25 vjet kam parë “Putin” të ndryshëm. Dhe nuk jam i vetmi.

“Putini me të cilin u takova, bëra biznes të mirë dhe krijova një Këshill Nato-Rusi, është shumë, shumë ndryshe nga ky, pothuajse megaloman, që shohim sot,” më tha ish-shefi i NATO-s, Lord Robertson, në vitin 2023.

“Burri që qëndroi pranë meje në maj të vitit 2002 dhe tha se Ukraina është një shtet sovran dhe i pavarur, që do të marrë vendimet e veta për sigurinë, është tani burri që thotë se [Ukraina] nuk është një shtet kombëtar.

“Mendoj se Vladimir Putin ka një lëkurë shumë të hollë dhe një ambicie të madhe për vendin e tij. Bashkimi Sovjetik njihej si superfuqia e dytë në botë. Rusia nuk mund të pretendojë për diçka të tillë. Dhe mendoj se kjo ia ka ngrënë egon.”

Kjo është një shpjegim i mundshëm për ndryshimin që kemi parë te Putini: ambicia e tij e zjarrtë për të “Ribërë Rusinë të Madhe” (dhe për të kompensuar atë që shumë e shohin si humbjen e Moskës në Luftën e Ftohtë) e vendosi Rusinë në një kurs përplasjeje të pashmangshme me fqinjët – dhe me Perëndimin.
Kremlini ka një shpjegim tjetër.

Nga fjalimet që mban dhe komentet që bën, Putini duket i shtyrë nga një ndjenjë e madhe mllefi, nga bindja se për vite me radhë Rusia është gënjyer dhe mosrespektuar, shqetësimet e saj të sigurisë janë shpërfillur nga Perëndimi.

Por a beson vetë Putini se ka përmbushur kërkesën e Jelcinit për të “kujdesur për Rusinë?”
Së fundmi pata mundësinë ta zbuloj.

Më shumë se katër orë në konferencën e tij të gjatë për shtyp në fund të vitit, Putini më ftoi të bëja një pyetje.
“Borisi Jelcin ju tha të kujdeseni për Rusinë,” i kujtova presidentit. “Por çfarë ndodh me humbjet e mëdha në të ashtuquajturin ‘operacionin tuaj special ushtarak’, trupat ukrainase në rajonin Kursk, sanksionet, inflacionin e lartë. A mendoni se jeni kujdesur për vendin tuaj?”

“Po,” u përgjigj Presidenti Putin. “Dhe nuk jam vetëm kujdesur për të. Ne jemi tërhequr nga buza e humnerës.”
Ai e portretizoi Rusinë e Jelcinit si një vend që po humbiste sovranitetin e tij. Ai akuzoi Perëndimin se kishte “përkëdhelur” Jelcinin ndërsa “e shfrytëzonte Rusinë për qëllimet e veta”. Por ai, Putini, po “bënte gjithçka,” tha ai, “për të siguruar që Rusia të ishte një shtet sovran dhe i pavarur.”

Të prezantosh veten si mbrojtës i sovranitetit rus: a është kjo një pikëpamje që ai e ka krijuar më vonë për të justifikuar luftën në Ukrainë? Apo Putini me të vërtetë beson këtë version të historisë moderne ruse?
Ende nuk jam i sigurt. Jo ende. Por ndjej se kjo është një pyetje kyçe.

Përgjigjja për të mund të ndikojë shumë në mënyrën se si përfundon lufta – dhe drejtimin e ardhshëm të Rusisë.

Top Channel

SHKARKO APP