ANALIZA/Gjermania rrëzon OFL dhe bandat sundojnë, anti-mafia e qelbur nga koka (VIDEO)

Nga: Redjon Shtylla

“Një kohë ekstreme kërkon masa ekstreme”. Fjalët e ngjyrosura për kriminalitetin në vend nga kryeministri Edi Rama, për kohën prodhojnë zhurmë. Për Shqipërinë, lufta ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, është një nga kushtet kryesore prej 15 të tilla të vendosua nga Bashkimi Europian në lidhje me negociatat për Integrimin. Në shkurt të këtij viti, Rama prezantoi OFL-në, duke u krekosur se pasuritë e krimit do të shkonin për rritje rrogash dhe modernizim të Policisë së Shtetit por uniformave blu siguria u ka rrëshkitur nga duart. Planin madhështor të kryeministrit e rrëzoi Gjermania. Pezullimi nga detyra i një prej zyrtarëve më të lartë të Operacionit Forca e Ligjit me kërkesë të SPAK-ut, përkatësisht e Artan Shkëmbit, ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi gjithë operacionin dhe efektshmërinë e tij.

Autoritetet gjermane informuan SPAK-un se një oficer i lartë i policisë shqiptare kishte nxjerrë sekretin. Për këtë arsye SPAK-u kërkoi pezullimin e zv/drejtorit të Operacionit Forca e Ligjit, Artan Shkëmbi. Policia gjermane kishte nisur një hetim pasuror për një shtetas shqiptar të përfshirë në aktivitete të paligjshme në Gjermani. Ata kanë mësuar dhe kanë ngritur dyshime ndaj numrit dy të OFL-së, se ai kishte informuar subjektin nën hetim nga Gjermania.

Prezantimi nga qeveria i aktit normamtiv me qëllim forcimin dhe ashpërsimin e luftës ndaj krimit të organizuar, kaloi tek xixërimat e përditshme të zëdhënëses me syze dielli. Formularët e dërguara tek të fortët dhe videot e efektive të Policisë së Shtetit që shfaqeshin me jelekët e OFL-së, të armatosur gjerë në dhëmbë, bëhen lajm. Kudo në Shqipëri lëviz OFL-ja, shkon në dyert e të fortëve por ndonjëherë ka trokitur edhe në banesat e atyre që nuk jetojnë më. Shkëlzen Dumani u vra gjatë luftimeve në Siri në 2014 por OFL-ja jonë i çoi letrat për vetëdeklarimin dhe justifikimin e pasurisë.

I gazëllyer që përmes ligjit anti-mafia bosët e krimit që nuk janë dënuar do ti merrej pasuria por që realiteti është i ndryshëm nga ai që propagandon shefi i qeverisë në ERTV. Edhe pse OFL-në nga nuk e mori, e futi në valixhe dhe metodologjinë e veprimit të saj u’a sugjeroi edhe ndërkombëtarëve por Rama si kryesues i OSBE-së nuk flet dot për luftë ndaj krimit, pasi dosjet e zgjedhjeve me kriminelë janë ende të freskëta. Mos të flasim për Elbasanin. Ky qytet rrezikon që të kthehet në Sicilinë e viteve 70-të. Këtë nuk e themi ne por kryeprokurori Olsian Çela. Madje ai ka theksuar me zë të lartë se vendi po kontrollohet nga krimi dhe se prokuroria dhe policia nuk mund ta tolerojnë më që Elbasani të përdoret për të larë hesapet mes bandave.

Tre muaj para skadimit të OFL-së, rezultatet e operacionit veniten. Kemi garanci SPAK-un, cicëronte Edi Rama por sipas të dhënave zyrtare, deri në gjashtë mujorin e parë të vitit, SPAK kërkoi sekuestro për 102 pasuri, nga të cilat 71 ishin automjete. Në 80 raste të tjera ktheu mbrapa kërkesat e Policisë e së Shtetit për sekuestro, duke i vlerësuar si të bëra në kundështim me aktin normativ. Rezultatet e ligjit special do të maten me vendimet e konfiskimit të pasurive në favor të shtetit, proces ky që duhet të mbyllet brenda 6 muajve pas dorëzimit të dosjes në gjykatë nga Prokuroria e Posaçme por që deri më sot, përveç se disa makinave të mblinduara asgjë nuk është konfiskuar që të kthehet në shërbim të popullit. Një fjalë e urtë populle thotë se peshku qelbet nga koka, e teksa Gjermania kapi numrin dy të OFL-së në korrupsion, ky operacion policor do të bitiset i njëllosur, një kështjellë iluzionare që nuk arriti të rrëzojë të fortët dhe të rrëmbejë pasuritë e tyre, pasi ata po hedhin valle, të lirë mes pasurive marramëndëse. /Koha Jonë/

SHKARKO APP