Analiza/Jonida Halili dhe Lindita Kokoli: Një vend pa shoqeri civile aktive përfundon në regjim
Nga Jonida Halili dhe Lindita Kokoli
Për sot pasdite në ora 17.00 është lajmëruar për një manifestim apo protestë, quaje si të duash, para kryeministrisë në shenjë reagimi ndaj kryeministrit Rama i cili ka deklaruar fillimin e krizës më të madhe energjetike në vend. Ndonëse Edi Rama u mundua të ishte i kujdesshëm në paralajmërimin e tij për energjinë elektrike, duke pohuar se nuk do të preken shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla, përsëri e verteta mbetet e hidhur: Nga rritja e çmimit të energjisë elektrike do vijnë si efekt zinxhir rritja e krejt çmimeve të shportës së jetës ekonomike për çdo familje shqiptare.
Ndonëse kryeministri e citoi më zë të lartë se “nuk do të ketë rritje të çmimit të faturës së dritave për familjet dhe bizneset e vogla”, por kjo mbetet tezë populiste. Edi Ramën nuk e rrëzon nga pushteti ky manifestim sot pasdite, por as 1 mijë protesta të bëjë opozita e shthurur dhe e përçarë, bile e blerë nga pushteti.
Problemi shtrohet se sa ndjeshmëri ka shoqëria civile shqiptare të përbashkohet sa herë mendon se qeveria vepron gabim apo kundër interesave jetike të qytetarëve.
Nuk është problemi tek aktivisti Adriatik Lapaj, që gjithsesi duhet vlerësuar për aktin e tij civil, por flitet për zgjim të shoqërisë së fjetur shqiptare, e cila ndër vite më parë ka qenë mjaft aktive si ndaj regjimit të Sali Berishës, por ashtu edhe kundrejt qeverisë së korruptuar të Fatos Nanos.
Asokohe kishte emra që nuk pyesnin për pushtetin e dhunshëm të Berishës së I-rë si Blendi Gonxhe, Fatos Lubonja, Edi Rama, Bujar Xhaferri, Agim Isaku, etj. Shkrimet e tyre nuk ishin artikuj por bomba me flamuj kundër regjimit të kohës.
Edhe më vonë shoqëria civile nuk vdiq. Të gjithë e mbajnë mend se si në vitet 2004-2005-2006 ishte grupimi MJAFT me në krye Erion Veliajn që dilte kundër qeverive Nano dhe Berisha II.
Ndërkohë vitet e fundit shoqëria civile ka rënë në gjumë, si vdekje klinike.
Dhe kjo është e rrezikshme për një shoqeri gjysmëdemokratike siç është kjo shqiptare.
Në një vend pa opozitë serioze, bile të blerë siç është kjo e sotmja, nëse nuk ka shoqëri civile aktive, atëherë vendi ka hyrë në REGJIM.
KOHA JONË SONDAZH

