Analiza krahasimore: Kapacitetet dhe si po përgatiten vendet e Ballkanit kundër koronavirusit
Ndërkohë që në Ballkan janë konfirmuar msa më pak se 200 raste me COVID-19, mungesa e transparencës së qeverisë po shton shqetësimin për kapacitetin e shërbimeve shëndetësore në të gjithë rajonin për t’u përballur me këtë pandemi.
Shtetet në Ballkan kanë ndërmarrë një sërë hapash, nga mbyllja e shkollave deri në kufizimin e tubimeve publike dhe ndërprerjen e udhëtimeve me Italinë, por ekspertët druhen se numri relativisht i ulët i testeve të kryera dhe rastet e konfirmuara nuk pasqyrojnë shkallën e vërtetë të përhapjes së virusit dhe janë të shqetësuar për gatishmërinë e shërbimeve shëndetësore.
BIRN kaloi një javë duke ndjekur autoritetet shëndetësore për të mësuar se sa kite testesh kanë ata, sa persona janë testuar, numrin e shtretërve në dispozicion për pacientët e ardhshëm të koronavirusit, vendet e karantinës dhe numrin e aparaturave të oksigjenit për ata që preken më rëndë.
Rezultatet ishin të përziera, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Obsh-ja që qeveritë të jenë sa më transparente të jetë e mundur.
“Është konfidenciale”, tha kryeministrja serbe Ana Brnabiç në një konferencë për shtyp të enjten kur u pyet se sa aparatura oksigjeni ka vendi.
“Në këtë moment, kjo trajtohet praktikisht si sekret shtetëror në të gjitha vendet”, tha Brnabiç, por siguroi gazetarët se “Serbia ka mjaftueshëm aparatura oksigjeni.”
Më vonë gjatë ditës, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, drejtuesi i Partisë Progresive në pushtet, tha në televizionin shtetëror se vendi ka 1,008 aparatura oksigjeni, tre herë më shumë sesa gjatë shpërthimit të gripit të derrit të vitit 2009. Ai tha se vendi do të blinte 500 të tjerë në 25 ditët e ardhshme. Që nga 13 marsi, në Serbi kishte 31 raste të konfirmuara me COVID-19.
BIRN nuk pati sukses për gjetjen e fakteve me autoritetet në Turqi dhe Shqipëri, dhe pati sukses të kufizuar në vendet e tjera të rajonit.
Kitet e disponueshme
Të hënën, Bullgaria tha se kishte testuar afro 1,000 njerëz për COVID-19. Që nga e premtja, ishin 23 raste të konfirmuara. Testet kryhen nën siguri të rreptë në Akademinë Mjekësore Ushtarake në kryeqytet, Sofje, dhe rezultati kërkon zakonisht nga pesë deri në shtatë orë.
Në Kroaci, deri të premten, ishin testuar më shumë se 500 njerëz, sipas ministrit të shëndetësisë Vili Beros, ndërsa më shumë se 5,900 persona po mbaheshin në monitorim. Tridhjetë e një persona kanë rezultuar pozitivë.
Instituti i Shëndetit Publik në vend, HZJZ, tha se testet janë kryer vetëm “kur plotësohen kriteret klinike dhe epidemiologjike të sëmundjes”, pasi “një rezultat negativ në një fazë të tillë asimptomatike nuk e përjashton infeksionin”.
Në fundjavë, drejtori i HZJZ, Krunoslav Capak, tha për gazetën e përditshme Vecernji List: “Fillimisht, ne do të testojmë raste të rënda të pacientëve me probleme pulmonare nga spitalet, siç rekomandohet nga ECDC (Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve), dhe pastaj të shohim nëse do t’i zgjerojmë testimet në kontaktet e pacientëve dhe rastet e dyshuara.”
Në Bosnje dhe Hercegovinë, ku deri të premten kishte 13 raste të konfirmuara, Alen Seraniç, ministri i shëndetësisë i Republikës Srpska, tha se 650 kite ishin siguruar për spitalet në entitet. Shifrat nuk ishin të disponueshme për entitetin tjetër të Bosnjës, Federatën, edhe pse OBSH-ja thotë se i ka dërguar Bosnjës edhe 500 kite shtesë.
Ministria e shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut tha se vendi kishte 1,000 kite, 50 prej të cilave tashmë janë përdorur . Në një konferencë për shtyp të enjten, ministri i shëndetësisë Venko Filipce tha se ishin porositur 1,000 të tjerë.
Ministri malazez i shëndetësisë Kenan Hrapoviç u tha gazetarëve të mërkurën se vendi po kërkonte një shtesë prej 1,000 kitesh. “Organizata Botërore e Shëndetësisë ka premtuar furnizime të reja, kështu që ne presim të kemi rreth 3,000 kite”, tha ai. Deri më tani, janë realizuar 44 testime, të gjitha negative.
Rumania ka testuar më shumë se 12,000 njerëz për virusin, me 64 raste të konfirmuara brenda kufijve të saj.
Përfaqësuesi i OBSH-së në Serbi, Marijan Ivanusa, tha më 27 shkurt se OBSH-ja i kishte dërguar Serbisë 1,000 teste. Asnjë informacion tjetër nuk ishte në dispozicion për Serbinë.
BIRN nuk ishte në gjendje të konfirmonte se sa kite testesh ka Kosova, edhe se Ismet Humolli e OBSH-së tha të enjten në emisionin televiziv Jeta në Kosovë të BIRN se ishin kryer 75 teste dhe të gjitha kishin dalë negativë.
Shtretër dhe karantina
Klinika e sëmundjeve infektive në Kosovë aktualisht ka një repart prej 22 shtretërish në dispozicion për pacientët e mundshëm me COVID-19, me autoritetet që thonë se kapaciteti mund të rritet në 130, në rast të një shpërthimi të madh në vend.
Duke folur për Jeta në Kosovë, Valbon Krasniqi, drejtori i klinikës së sëmundjeve infektive dhe Naim Bandiqi, sekretari shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë, nuk pranuan të përgjigjen se ku autoritetet planifikonin të ngrinin karantinën për ata që nuk mund të izolohen.
Shqipëria ka 33 raste (38 te shtunen) të konfirmuara të COVID-19 dhe ka shënuar një viktimë. Spitali infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nëntë Tereza dhe Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës, janë përzgjedhur nga qeveria si qendra karantine. Spitali Infektiv në QSUT ka 76 shtretër.
Nga personat e prekur, 25 janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe qëndrojnë të vetëizoluar në shtëpi, ndërkohë që numri i të shtruarve në spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka mbërritur në tetë.
Në Serbi, Vuçiç tha se klinika e sëmundjeve infektive në Beograd do të merrej vetëm me personat e infektuar me koronavirus, siç do të bënin departamentet speciale të Qendrës Klinike të Vojvodinës, në qytetin verior të Novi Sadit dhe Qendra Klinike në qytetin jugor të Nisit.
Në Bosnjë, e cila është e ndarë në dy entitete – Republika Srpska dhe Federata – më shumë se 200 shtretër u caktuan për pacientët me koronavirus në qytetet e Banja Lukës, Bijeljinës dhe Sarajevës Lindore. Në Federatë, autoritetet thonë se tre spitale – në Sarajevë, Mostar dhe Tuzla – janë gati për të ofruar karantinë, por nuk ka detaje të tjera.
Në Bullgari, karantina ofrohet në spitalet në Pleven në veri dhe Gabrovo në Bullgarinë qendrore.
Në Rumaninë fqinje thonë se ka 4,000 shtretër në njësitë e kujdesit intensiv, gjysma e të cilëve janë të pajisur për t’u marrë me rastet më të rënda të koronavirusit. Megjithatë, disa prej këtyre shtretërve janë të zënë.
Qeveria tha të mërkurën se 2,500 shtretër do të vihen në dispozicion në klinikat e sëmundjeve infektive në të gjithë vendin, në rast se numri i rasteve të konfirmuara tejkalon 100.
“Nuk na mungojnë kitet testuese apo profesionistët”, tha Sekretari i Shtetit Nelu Tataru të enjten.
Spitali “Victor Babes” i Bukureshtit për sëmundje infektive, ku po trajtohen aktualisht rastet e koronavirusit, tha se një kat i tërë ishte përgatitur për t’u marrë me rastet e reja. Autoritetet kanë njoftuar një ndalim gjashtëmujor të eksportit të barnave ose pajisjeve që mund të përdoren për të trajtuar simptomat e koronavirusit. Një masë e ngjashme u prezantua në Kosovë të mërkurën.
Më shumë se 750 njerëz aktualisht janë në karantinë në Rumani. Mbi 12,700 janë nën izolim në shtëpi ose po monitorohen. Ata që hyjnë në vend nga zona të Kinës, Koresë së Jugut dhe Gjermania, si dhe nga e gjithë Italia dhe Iran, vendosen automatikisht në izolim ose karantinë për shkak të shtrirjes së shpërthimit në këto vende.
Kroacia ka 800 shtretër në dispozicion në njësi të kujdesit intensiv dhe, nëse është e nevojshme, të tjerë do të vihen në dispozicion duke i kthyer repartet normale në njësi gjysmë intensive, tha ministri kroat i shëndetësisë të mërkurën.
Në Malin e Zi fqinj, Jefto Erakoviç, drejtor i Qendrës Klinike të Malit të Zi, tha se katër dhoma në klinikën e sëmundjeve infektive ishin përgatitur dhe se e gjithë klinika do t’i kushtohej rasteve të koronavirusit, nëse është e nevojshme.
Për momentin, ai tha, “ne kemi mjaftueshëm maska, reparte, xhel për dezinfektim në qendrën klinike dhe, sipas situatës, do të vlerësojmë edhe nëse është i nevojshëm prokurimi shtesë.”
Autoritetet në Mal të Zi gjithashtu kanë vendosur nën monitorim 782 persona që kanë mbërritur nga Kina dhe 302 nga Italia dhe Japonia.
Gjithashtu po monitorohen edhe 69 punëtorë të China Road and Bridge Corporation, e cila po ndërton një autostradë 165 km të gjatë, nga bregu malazez drejt Serbisë fqinje. Ministri i shëndetësisë tha se 207 punëtorë të tjerë kinezë do të mbërrinin në Mal të Zi deri më 17 mars.
“Të gjithë punëtorët kanë siguruar të dhëna mjekësore dhe të gjithë ndihen mirë”, tha ministria në një njoftim për shtyp. “Të gjithë janë nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor dhe ka shërbime të sigurisë që kontrollojnë lëvizjen e tyre.”
Në Maqedoninë e Veriut, ku ka 13 raste të konfirmuara, BIRN nuk ishte në gjendje të konfirmojë se sa shtretër mund të jenë në dispozicion në rast të një shpërthimi më të madh të këtij virusi.
Personeli mjekësor me përvojë në kujdesin intensiv, kryesisht nga klinika neuro-kirurgjikale dhe klinika e anesteziologjisë, është vendosur në gatishmëri për të ndihmuar klinikën e sëmundjeve infektive. Po bëhen përgatitjet për të siguruar karantinë në të tre klinikat.
Filipce, ministri i shëndetësisë, tha të enjten se rreth 200 persona aktualisht ishin në karantinë në shtëpi, që do të thotë se nuk lejohen të dalin jashtë dhe policia zhvillon kontrolle të përditshme në vendndodhjet e tyre.
Aparatura oksigjeni
Asnjë informacion nuk ishte në dispozicion përsa i takon numrit të aparaturave të oksigjenit në Shqipëri dhe Kosovë.
Në Kroaci, qeveria ka aprovuar një paketë financiare prej 304,000 eurosh për spitalin “Fran Mihaljevic” për sëmundjet infektive në Zagreb për blerjen e nëntë aparaturave të oksigjenit.
Ministri i Shëndetësisë Beros të mërkurën tha: “Kemi 500 aparatura oaksigjeni. Shpresojmë që kërcënimi të mos jetë aq i madh dhe të mos kemi nevojë të përdorim një pjesë të këtij kapaciteti.”
Ministri i shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut Filipce tha se vendi kishte rreth 200 aparatura oksigjeni dhe ishte në proces për blerjen e 50 të tjerëve.
Bosnja tha gjithashtu se po blinte më shumë, edhe pse numri aktualisht në vend nuk ishte në dispozicion menjëherë.
Në Mal të Zi, autoritetet e kujdesit shëndetësor thanë se spitalet kanë 70 aparatura oksigjeni, 40 prej të cilëve janë në Qendrën Klinike në kryeqytet, Podgoricë. Do të bëhet një tender për blerjen e 20 të tjerëve.
Në Serbi, pasi kryeministrja Brnabiç të enjten e deklaroi shifrën një sekret shtetëror, presidenti Vuçiç konfirmoi se vendi kishte 1,008 aparatura oksigjeni. Ministria e shëndetësisë e vendit nisi një tender për të blerë edhe 15 të tjerë. /BIRN