Analizat ushqimore, ekspertë të sigurisë ushqimore: S’bëhen në laboratorët e AKU, ndërsa gjobat janë strategji varfanjake

Ekspertët e sigurisë ushqimore Besnik Jakaj dhe Dritan Laçi nga studio e emisionit “Alert” në News24 kanë deklaruar se në laboratorët e AKU bëhen vetëm 2-3 analiza rutinë dhe ISUV kryen vetëm disa analiza të certifikuara, të cilat ata i konsiderojnë si katastrofike. Sipas ekspertëve, AKU duhet të bashkëpunojë me ekspertë të fushave, me Ministrinë e Bujqësisë për mënyrën se si do të funksionojë, pasi problemi me laboratorët është shumë i rëndësishëm.

Ata u shprehen se institucionet duhet të mbështeten financiarisht, të mbështeten ekipet me pajisje, duhet rikonceptim i sistemit për sigurinë, pasi faturën e paguajmë ne si konsumator, një faturë të rëndë financiare. Sipas tyre mund të kesh kapacitete për të blerë teknologji, por me rëndësi është pjesa e rritjes profesionale dhe ndërgjegjësimi, ndërsa hallka e fundit është pjesa penale, gjobat. Në lidhje me gjobat ndaj bizneseve, ekspertët e sigurisë ushqimore i cilësuan si strategji varfanjake, pasi nuk e zgjidhin situatën e sigurisë ushqimore dhe bëhen vetëm për zhurmë mediatike. Ata akuzuan edhe inspektorët e AKU për kontrolle selektivite, ku shpeshherë bëhen edhe në tejkalim të ligjit, për të cilët duhet hetim. Jakaj dhe Laçi nënvizuan se AKU duhet të ndërgjegjësojë subjektin, ta ndihmojë.

Përsa i përket pamundësisë së eksportit, ekspertët thanë se nuk plotësojmë kriteret dhe se fermerët nuk kanë ndihma nga qeveria për të konkurruar me produktet e tyre jashtë, në tregjet e hapura. Problem sipas tyre mbetet edhe matrikullimi i kafshëve ku shpesh bëhen para se të theren sa për të plotësuar një formular dhe transportimi bëhet në furgona pa kushte frigoriferike, në markete në qendër të qytetit gjen produkte të pakontrolluara, që përbëjnë një rrisk kur nuk ka certifikatë shoqëruese. “Çfarë negociatash të hapim, kur nuk kemi kontrolle rigoroze, e paimagjinueshme që të prodhosh produkte në kushte miserable, me standarte të paplotësuara s’mund të jemi pjesë e tregut të hapur.”-u shprehën ekspertët e sigurisë ushqimore.

"ALERT" NGA GRANIT SOKOLAJ

SHKARKO APP