Analizë/Projekti i LSI për Durrësi 1 dhe Durrësi 2
Lëvizja Socialiste për Integrim, dega Durrës ka bërë një analizë të planit që ka për këtë qark, përkatësisht Durrësi 1 dhe Durrësi 2.
Çfarë është ky projekt?
I pyetur mbi këtë projekt, Enon Karapici, Ekspert Kontabël i Licensuar, Zv/Kryetar i LSI-së Durrës shpjegon se DURRËSI 1 dhe DURRËSI 2 është një projekt i Zonave të Lira ekonomike në një zonë të përcaktuar në Durrës me sipërfaqje 200 hektarë i cili do vihet në zbatim në dy faza. DURRËSI 1: Faza e parë realizohet për 12-18 muaj. Dhe DURRËSI 2: Faza e dytë realizohet për 12-36 muaj.
Sa vende të reja pune krijojen nga ky projekt?
Punësimet direkte dhe indirekte do arrijnë me mijëra vende pune të cilat do vijnë në rritje.
Çfarë arrihet me këtë projekt?
Arrihet thithja e investitorëve të huaj, firma ndërkombëtare me emër dhe potencial të madh punësimi. Arrihet krijimi i lidhjeve (linkages) Lidhja e kompanive me stakeholders si: agjencitë e punësimit, universitetet, shkollat dhe konsulentëve.
Përse do vijnë investitorët në Durrës? Cilat janë incentivat fiskale për investitorët e huaj?
Incentivat fiskale për 10 vitet e para për investitorët e huaj në këtë zonë janë:
0%-Tatim fitimi
0%-Tatim mbi të ardhurat personale
0%-TVSH
0%-Taksa doganore
Shoqëruar me një legjislacion të posaçëm në përputhje me ligjet e BE, incentivat fiskale krijojnë siguri dhe atraksion për investitorët. Dhe pozicioni gjeografik i Durrësit, afërsia me portet, aeroportin, etj e bëjnë këtë projekt tejet tërheqës për investitorët e huaj.
Çfarë sjell projekti DURRËSI 1 dhe DURRËSI 2?
Ky projekt sjell:
• Gjenerim i mijëra vendeve të reja të punës.
• Frenin i shpopullimit të vendit.
• Orientim për rininë, për të sapo diplomuarit dhe profesionistët drejt tregut të punës.
• Durrësi shndërrohet në epiqendër të zhvillimit ekonomik dhe model për zona të tjera në vend.
• Transformim të vendit në një eksportues të rëndësishëm dhe ndërlidhës në rajon.
• Një Durrës me një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në shërbim të banorëve.
Ky projekt do jetë kombëtar dhe themeli i zhvillimit të qendrueshëm ekonomik. Jo vetëm për 4 vitet e ardhshme por për dekadat që do të vijnë. Drejtuesja Politike e Qarkut të Durrësit, Elona Guri tha se “Ky është vizioni i LSI-së për ndryshimin dhe transformimin rrënjësor ekonomik dhe social të Durrësit”.
Dr. Ada Spiru, lektore ekonomie, LSI Durrës, shton se ““Zonat e lira ekonomike do të bëjnë të mundur që vendi ynë të jetë pjesë e zinxhirit global të prodhimit, dhe për këtë duhet të jemi konkurues jo vetëm nëpërmjet përmirësimit të klimës ndaj biznezit dhe investimeve te huaja por dhe duke ofruar kapacitete njerëzore të mirëarsimuara dhe si rrjedhojë të mirëpaguara”.
Vasil Zaho, ekonomist, LSI Durrës, shpjegon se “Pasi projekti i zonave të lira të shndërrohet në histori suksesi, do të ndikojë pozitivisht në raportin e Doing Business duke e pozicionuar Shqipërinë në vende favorizuese për thithjen e investimeve të huaja”.
Rexhina Leka, menaxhere, LSI Durrës, thekson se ky projekt “Durrës 1 dhe Durrës 2 nuk është si propaganda e “Rilindjes” por është një projekt që vihet në zbatim që në ditët e para të qeverisjes dhe do u ofrojë të rinjve, profesionistëve dhe familjeve të Durrësit mundësi të shumta për të përmirësuar jetën dhe të ardhmen e tyre, dhe duke frenuar shpopullimin”.