ANALIZË/Rebelimi i policëve në burgjet e vendit, gati greva e urisë (VIDEO)

Nga: Redjon Shtylla

Më 13 shtator 1971, afro 1 mijë e 500 policë dhe roje burgu sulmuan burgun shtetëror të Atikës në New York, dhe këtu lindi një nga rebelimet më të mëdha të burgjeve në historinë amerikane. Sot në Shqipëri janë 24 institucione të vuajtjes së dënimit dhe shërbejnë 3559 punonjës që janë “të dënuar” me veshje zyrtare. Mosha mesatare është 50-vjeç, kurse paga varion sipas gradave. Nis me 37000 lekë dhe pastaj ka shtesa për gradë, orë nate, ditë feste, por tatohen shumë dhe nuk kalon paga 42000 lekë për gradën e nën/inspektorit në xhep. Një person që punon si oficer burgu në Serbi, fiton rreth 515 euro në muaj, kurse në Bullgari 802 euro. Javët e fundit mediet kanë raportuar për protestat që u përhapën në çdo burg, fillimisht nga të dënuarit me grevën e urisë dhe tashmë nga ata të veshur me uniformë. Rebelim për të drejta të shkelura ndër vite.

Në seancën e 25 qershorit të këtij viti, deputetët votuan pro projektligjit për policinë e burgjeve, ku efektivët e burgjeve do të paguhen njëlloj me ata të policisë së rendit, por situata është e njëjtë. Çdo politikan që mban postin e Ministrit të Drejtësisë, premton mbështetje financiare dhe morale për Policinë e Burgjeve. Ka një luftë të heshtur, mes policisë së burgjeve dhe atë shtetërore. Sektori i burgjeve ka ndikim të drejtëpërdrejtë edhe në sigurinë kombëtare. Në një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i Sindikatës së Shërbimeve Policore, Valentin Mucaj, thotë se “Sistemi po vuan për kapacitete menaxhuese të kualifikuara, pasi drejtuesit këshillohen nga zyrtarë servile që ndërrojnë 7 lëkurë në disa pushtete që shkojne e vijnë, dhe po dëmtojnë imazhin e një sistemi që nuk po njeh atë nivel që kërkojnë kërkesat e ligjit, dhe kushtet e një vendi kandidat për në BE. Kjo mënyrë këshillimi, ku vetëm në Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, vartësi i një drejtuesi sektori është edhe epror i tij, sipas komandimit të paligjshëm, ka krijuar amulli dhe dëm të madh”.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në vitin 2019 firmosi një udhëzim që përcakton modalitetet e reja për transferimin e punonjësve të burgjeve nga një burg në burgun tjetër. Sipas urdhrit, punonjësit nuk mund të transferohen në një vend pune më larg se 45 km nga vendbanimi i tyre. Punonjësit në burgun e Shën Kollit në Lezhë, kanë ngritur më herët shqetësimin për transferimin dhe komandimin në burgun e Reçit. Ata thonë se nuk u paguhet transporti, pavarësisht se bëjnë mbi 100 km rrugë në ditë. Veç kësaj, punonjësit nuk kanë uniforma, nuk u vlejnë gradat dhe vjetërsia në punë. Problemet e Policisë së Burgjeve nuk kanë nisur vetëm në këto katër vitet e fundit. Ato kanë zanafillën shumë vite më parë. Akuza më e madhe që është bërë, është për vetëvrasjet e efektivëve të policisë së burgjeve. Për këtë Macaj shprehet se ka shumë aksidente për shkak të detyrës. “Vetëm para 4 vitesh, kemi patur 3 punonjës policie të vdekur në të njëjtën kohë në rrethin e Korçës, pa folur pastaj për aksidente në rrugën e Milot-Lezhë, mbikalimi i Fushë-Krujës, Bishti Zhurit në Rrogozhinë, rrugën interurbane kryesore Tiranë-Durrës etj”.

Për më tepër ai shton se probleme shëndetësore dhe ngarkesë emocionale, ka shkaktuar tërmeti i 2019, dhe pandemia Covid-19. “Mungesa e psikologut nëpër institucione, ka qenë një problem dhe vazhdon të jetë në sistem, pavarësisht që kemi staf mjekësor, farmaci dhe infermier, por që shërbejnë vetëm për të dënuarit e të paraburgosurit”. Një gabim me dashje është miratimi i ligjit 80/2020, në nenin 14 të tij, ku përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ngulmoi në Komisionin e Sigurisë që të hiqen armët për të gjithë stafin policor, përjashto vetëm forcat operacionale.

Burgjet shkuan edhe në foltoren e Kuvendit. Deputeti Lefter Maliqi, mes të tjerave përmendi disa emërime që janë miq të deputetëve apo ministrave socialistë. Sipas tij, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, vetëm në 19 muaj nga emërimi ka kryer 250 komandime. Por më e rëndë është deklarata se në zyrat e drejtorëve ka edhe skandale seksuale. Punonjësit kanë paralajmëruar edhe grevë urie, e cila sipas tij do të kolapsonte vendin, pasi institucionet e dënimit nuk do të ruheshin më prej tyre.

SHKARKO APP