Andoni: Drejtuesit e PD ulen me mazhorancën, kanë humbur lidhjen me bazën
Analisti Ben Andoni thotë se kryetari i PD-së, Sali Berisha po përballet me një sfidë të vështirë, ndërsa imazhi i partisë është ai i një force politike që prodhon situata të tensionuara. Ai theksoi se shqetësimi i atyre që e ndjekin PD-në lidhet me mesazhet që ajo përcjell dhe me logjikën që ndërton për të ardhur në pushtet.
“Ka ardhur koha që e djathta të vijë në pushtet në Shqipëri. Ka shumë intelektualë të së djathtës dhe pjesë të elektoratit gri që duan të shohin jo vetëm një qeveri në hije të PD-së, por edhe një alternativë të qartë”, u shpreh Andoni në ”A2cnn”.
Për të Berisha ka zgjedhur një strategji që synon të mbajë të mobilizuar një pjesë të strukturave të partisë, duke treguar se është ende i aftë të mbledhë njerëz rreth vetes. Megjithatë, analisti vlerësoi se PD prej kohësh ka humbur bazën e saj tradicionale.
“Shumë nga ata që dalin dhe protestojnë janë si heronj, ndërsa drejtuesit e partisë ulen me mazhorancën për reforma, për rritje pagash apo për çështje të tjera. Kjo krijon një kontrast me mesazhin që jepet publikisht”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

