Andoni: Në Shqipëri nuk ka oligarkë, por të pasur të favorizuar nga qeveria
Analisti Ben Andoni, i ftuar në Ora News, tha se në Shqipëri sipas tij nuk ekzistojnë oligarkët, por ka të pasur të favorizuar nga qeveria, të cilët sipas tij kanë vendosur monopolet dhe kanë ndryshuar ekonominë shqiptare.
“Në Shqipëri nuk ka oligarkë, ka të pasur të favorizuar, oligarkë është fjalë e madhe dhe këtë strukturë ekonomike që ka Shqipëria nuk mban dot oligarkë. Veçse ka të favorizuar, të cilët kanë vendosur monopolet dhe kanë bërë që ekonomia shqiptare të ngulë fatet dhe ky është problemi më i madh. Partia Socialiste do të vijojë me trendin që ka vijuar.
Besoj që do i bëj shumë punë kjo pjesa e rindërtimit të vendit, po të shohësh me kujdes energjia më e madhe e zotit Rama shkon për inaugurime, gjë që e ka bërë dikur dhe zoti Berisha se sa realisht për t’i treguar njerëzve mekanizmat për Shqipërinë e 4 viteve më vonë, për një Shqipëri normale”, u shpreh analisti.
Më tej ai komentoi mandatin e fundit të Partisë Socialiste, që sipas tij është shoqëruar me shumë peripeci, gjysmat nga paaftësia e treguar e gjysma tjetër nga tërmetet e 2019-ës e pandemia e kronavirusit.
“Mandati i dytë i Partisë Socialiste me thënë të vërtetës, ka qenë një mandat aspak normal. Gjysma prej paaftësisë së tyre dhe gjysma prej tërmetit dhe sidomos pandemisë që nuk mund të quhet një ogur i mirë për të gjithë strukturat qeverisëse”, tha Andoni.