Andrea Tornielli në “Radio Vatikani”: Mirë se u ktheve në shtëpi Atë i Shenjtë!

Kanë kaluar 38 ditë nga 14 shkurti, kur Papa Françesku u largua nga Vatikani për t’u shtruar në Poliklinikën Gemelli. Javë të ndërlikuara për një pacient 88-vjeçar, që vuan nga pneumonia dyanshme: buletinet mjekësore nuk heshtën për seriozitetin e situatës, për krizat që vuajti, ndërlikimin e pamjes klinike. Por ditët që tashmë kaluan u shoqëruan sidomos nga një lumë lutjesh për shëndetin e tij: lutje personale, lutje komunitare, rruzare, kremtime eukaristike… Jo vetëm katolikët, jo vetëm të krishterët, u lutën për Françeskun. Për Papën u lutën edhe gra e burra të feve të tjera. Madje deri njerëz që nuk besojnë i dërguan fjalë të mira e urime edhe më të mira. E i gjithë populli në lutje e dëshiroi dhe e mendoi përshëndetjen e shkurtër të sotme.
Jetuam me Ipeshkvin e Romës këto ditë të gjata vuajtjesh, pritëm, u lutëm, u prekëm kur më 7 mars Françesku deshi ta bënte zërin e tij të ligështuar të arrinte tek të gjithë, të falënderonte besimtarët që luteshin në Sheshin e Shën Pjetrit dhe ato që ishin të lidhur nga e gjithë bota, duke u bashkuar me ta. U ngushëlluam mbrëmjen e së dielës, më 16 mars, kur e pamë për herë të parë, ndonëse nga prapa, teksa po lutej pas Meshës, në kapelën e katit të dhjetë të Gemellit.
Pas kaq frikësimi, por edhe besimi dhe braktisjeje ndaj planit të Atij që na jep jetë çdo orë e që mund të na thërrasë pranë vetes në çdo çast, sot e pamë përsëri. E morëm përsëri bekimin e tij në ditën e kthimit tonë në Vatikan. Nga dhoma e tij e spitalit, në këto javë, Françesku na kujtoi se jeta ia vlen të jetohet në çdo çast, por edhe se mund të na kërkohet në çdo çast. Na kujtoi se vuajtja dhe dobësia mund të bëhen mundësi për dëshmi ungjillore, për shpalljen e një Zoti që bëhet Njeri dhe vuan me ne, duke pranuar të asgjësohet në kryq.
E falënderojmë që na kujtoi se nga dhoma e spitalit lufta i qe dukur edhe më absurde; që na tha se ne duhet ta çarmatosim tokën e jo ta riarmatosim duke mbushur arsenalet me mjete të reja vdekjeje; sepse u lut dhe ofroi vuajtjet e tij për paqen, aq të kërcënuar sot.
Mirë se erdhe në shtëpi Atë i Shenjtë!
R.SH. – Vatikan
Andrea Tornielli është një gazetar, shkrimtar dhe vatikanist italian, i njohur për analizat e tij mbi Kishën Katolike dhe Vatikanin. Ai ka lindur më 19 gusht 1964 dhe ka qenë një nga komentatorët më të rëndësishëm të çështjeve kishtare, duke shkruar për gazeta të njohura si La Stampa dhe duke bashkëpunuar me portalin Vatican Insider.
Tornielli ka botuar disa libra mbi Papët dhe historinë e Kishës Katolike, përfshirë biografitë e Papës Benedikti XVI dhe Papës Françesku. Në dhjetor të vitit 2018, ai u emërua drejtor editorial i Dikasterit për Komunikimin të Vatikanit, një rol që e bën një nga zërat më të rëndësishëm në komunikimin zyrtar të Selisë së Shenjtë.
Si gazetar dhe studiues i fesë, Tornielli është i njohur për qëndrimin e tij të ekuilibruar dhe qasjen e thelluar ndaj ngjarjeve që lidhen me Vatikanin dhe Papët.