Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, sot votimi

 

 

 

Votimi për anëtarësimin e një vendi të ri, që nuk është anëtar i OKB-së bëhet me 2/3-tat e votave të atyre që janë të pranishëm dhe votojnë, pra të votuesve në favor dhe kundër. Abstenimet konsiderohen si jovotues. Në këtë skenar nuk pritet të flasin të gjitha vendet që duan të marrin fjalën, por kërkohet nga delegacioni i një mbështetësi, mbyllja e debatit dhe kalimi në votim.

Sipas rregullores së konferencës, mocioni i shtyrjes së debatit ka prioritet ndaj mocionit për mbyllje debati, prandaj ai votohet i pari.

Por, ndërsa Shqipëria dhe vende të tjera mike të Kosovës do të kërkojnë mbështetjen e rezolutës, pala serbe e ka bërë të qartë tashmë se do të kërkojë shtyrjen e debatit mbi rezolutën.

Mbetet ende e vështirë të përcaktohet se çfarë do të ndodhë sot, pas prezantimit të rezolutës nga ministri Bushati. Një kërkesë për shtyrjen e debatit, sikurse ka paralajmëruar Serbia, votohet menjëherë dhe kërkon vetëm një shumicë të thjeshtë. Nëse do të ketë debate, të gjitha vendet që kanë dëshirë mund ta marrin fjalën dhe të parashtrojnë argumentet e tyre në favor apo kundër. Më pas procedohet me votimin.

Në punimet e sesionit të 38 të, që po mbahet në Paris, po zhvillohet një betejë diplomatike mes Perëndimit dhe Lindjes rreth çështjes më të rëndësishme, anëtarësimit të Kosovës.

Kosova ka mbështetjen dhe lobimin e SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, që kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë dhe intensive diplomatike.

Sipas të gjithë këtyre skenarëve, mendohet se rezultati do të jetë shumë i ngushtë, me ndoshta një deri në dy vota. Asnjëra palë nuk ka sigurinë e shifrave dhe gjithçka është ende e hapur. Federata Ruse dhe Afrika e Jugut u janë drejtuar me një qëndrim të përbashkët vendeve anëtare të UNESCO-s që të ruajnë “status quo”-në. Kërkesa e Kosovës mundi të kalojë më 21 tetor në Këshillin Ekzekutiv, pasi propozimi i bërë nga Shqipëria gjeti mbështetjen e 47 vendeve bashkësponsorizuese dhe u votua nga 2/3-tat e vendeve anëtare të këshillit, që morën pjesë në votim. Projektrezoluta e Këshillit Ekzekutiv tashmë gëzon bashkësponsorizimin edhe të 23 vendeve të tjera. Por, anëtarësimi mundësohet me votimin e 2/3-tave të delegacioneve të pranishme në Konferencën e Përgjithshme. Kosovën deri më tani e njohin 111 shtete.

SHKARKO APP