Ankohet edhe Pupo: Becchetti ka një muaj që nuk më paguan

 

Hetimet për pastrim parash, sekuestrimi i Agon Channel dhe shpallja në kërkim ndërkombëtar e Francesco Becchetti-t kanë shqetësuar edhe këngëtarin italian Pupo, që ishte bërë pjesë e Agon Italia. Këngëtari, në një intervistë për La Repubblica ka rrëfyer se e kishte takuar Becchetti-n vetëm kur kishte firmosur kontratën me të për emisionin “Una canzone per 100.000”, të cilin e ka drejtuar prej dhjetorit të vitit 2014 deri në maj 2015. Tani Pupo është rikthyer në Rai. I pyetur për akuzat ai është përgjigjur se nuk i ka interesuar asnjëherë aktiviteti i pronarëve të mediave ku ka punuar. Dhe mbi mundësinë e mbylljes së Agon Channel ka thënë se nuk di asgjë. Por ai ka shprehur shqetësimin për pagesën që duhet të marrë ende nga Agon Channel.

“Me ata nuk kam patur ndonjëherë probleme dhe unë i kam paguar gjithnjë taksat e mia. Tani jam pak i shqetësuar sepse u kam dërguar faturën time të fundit, një muaj më parë, dhe nuk më kanë paguar ende. Një shumë e mirë, mbi të cilën unë e kam paguar 15 –përqindëshin e taksave në Shqipëri. Shpresojmë që gjithçka të përfundojë mirë”, është shpehur këngëtari.

Francesco Becchetti ndërkohë vazhdon t’i fshihet drejtësisë shqiptare. Ai i tha dy ditë më parë agjencisë italiane të lajmeve Adcronos se ndodhej në Londër, por nuk është shfaqur prej disa muajsh, që kur ishte vënë në dijeni të hetimeve të prokurorisë shqiptare. As vendndodhja e nënës së e tij, Liliana Condomitti nuk dihet.

Një ditë më parë ai shpërndau një njoftim zyrtar që u publikua nga The Guardian, në rolin e presidentit të klubit Leyton Orient.

Në komunikatë thuhet: “Francesco Becchetti është i në dijeni të faktit se në nisje të kësaj jave një gjykatë në Shqipëri ka lëshuar një urdhër arresti si dhe ka kërkuar bllokimin  pasurive të shoqërive shqiptare ndërsa ka pasur urdhër-arreste edhe në drejtim të personave të tjerë. Akuzat që kanë çuar në këto urdhra të gjykatës janë të pabazuar dhe të motivuara politikisht. Z. Becchetti është aktualisht i bindur në ndërmarrjen e procedimit gjyqësor përballë Republikës së Shqipërisë pasi në lojë janë shuma të mëdha parash. Duhet nënvizuar se këto akuza janë bërë për ta sulmuar dhe për t’iu bërë presion për ta zgjidhur çështjen në avantazh të Republikës së Shqipërisë. Z.Beccheti do të kontestojë akuzat e pabazuara kundër tij në momentin më të përshtatshëm”.

48-vjeçari dhe nëna e tij, citon “The Guardian”, bashkë me 2 bashkëpunëtorë janë akuzuar nga prokuroria shqiptare për shkelje të bërë në ndërtimin e një vepre hidroenergjitike që nuk përfundoi kurrë dhe që u ka kushtuar disa qeverive evropiane miliona euro dhe për taksa të papaguara. Ai rrezikon deri në 15 vite burg, citon “The Guardian”.

SHKARKO APP