Anti-informaliteti, zv.ministri i Financave: Ka dhënë rezultate
Zëvendës ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Elton Haxhi, i pranishëm në rubrikën “Opinion” në News 24 ka dhënë detaje mbi aksionet e ndërmarra nga administrata tatimore dhe që në fokus kishte goditjen e subjekteve abuzuese, të cilat fshehnin dhe nuk deklaronin xhirot e tyre.
Ai tregoi se janë inspektuar rreth 2 mijë subjekte të hoteleri-turizmit dhe në fokus ka qenë kontrolli i të gjithë veprimtarisë së tyre, përfshirë edhe deklarimin apo jo të të punësuarve në to. Sipas tij, ky aksion ka dhënë rezultate konkrete ndërsa specifikoi qartë sektorët ku kontrolli ka qenë më i intensifikuar.
“Gjatë periudhës së korrikut kemi pasur një zbatim të planit të masave dhe më konkretisht janë inspektuar në terren afërsisht rreth 2 mijë subjekte të sektorit hoteleri-turizmit. Aksioni është fokusuar tek sektorë me risk, ku mund t’i përmbledhim në hoteleri-turizmit, karburante, cigare dhe pijet alkoolike dhe sektori i ndërtimit. Ky aksion vjen në këto momente, pasi kemi pasur një seri ndryshimesh në drejtuesit e të dyja administratave dhe ka patur një përmirësim dhe një rishikim të proceduarave të brendshme tek administrata tatimore”-tha mes tjerash zv.ministri.