Anti-KÇK-ja aksion në disa qarqe, bllokohen 26 makina luksoze (VIDEO)
Në Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Korçë dhe në Fier po zhvillohet një aksion blic për identifikimin dhe bllokimin e makinave me probleme me dokumentacionin ose u është fshirë numri i shasisë. Në Gjirokastër janë bllokuar 11 makina, në Durrës 10, 5 në Tiranë, ndërsa në Fier dhe Korçë deri tani nuk informacion. Policia ende nuk e ka konfirmuar nëse bllokimet lidhen me ”Anti-KÇK”-në por operacionet që po zhvillohen në qarqe të çojnë në këtë drejtim, pasi në momentin që bllokohet makina luksoze, futet në skaner edhe pronari që e posedon, e kaluara e tij, nëse e justifikon.
FNSH-ja ka zbritur edhe në jug të vendit duke ushtruar kontrollet në Sarandë. Aksioni është përqendruar në hyrje të Sarandës në Qafë-Gjashtë, ku kontrollohen mjete të dyshuara. Deri tani nuk raportohet të jetë bllokuar ndonjë makinë luksoze apo për ndonjë të shoqëruar.
Në qarkun e Korçës, FNSH-ja në bashkëpunim me strukturat e qarkut ka zbritur në terren për bllokimin e makinave luksoze pa dokumentacion të rregullt por edhe kapjen e personave me precedentë. Aksioni është shtrirë në të gjitha qytetet e qarkut të Korçës.
Operacioni për makinat luksoze pa dokumente, të vjedhura apo me ndërhyrje në numrin e shasisë po zhvillohet edhe në Tiranë, ku deri paraditen e së shtunës janë bllokuar 5. Pas bllokimit po vijon procedura për verifikimin e makinave. Në kuadër të operacionit që po zhvillohet në disa qarqe, janë bllokuar edhe 10 makina luksoze në qytetin e Durrësit.