“Anti-KÇK”, juristi Daci: Katastrofë juridike, do bëhemi shtet policor
Juristi Jordan Daci, flet për ligjin special kundër “KÇK”, të prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama. Sipas tij, ky ligj bie ndesh me një sërë ligjesh të tjera, për më tepër me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila një pjesë e mirë e saj, është e implementuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. ”Me miratimin e këtij ligji duke i çuar gjithë të drejtat Policisë së Shtetit, kthehemi në një shtet policor. Unë dua ti drejtoj një pyetje zotërinjve që e kanë bërë këtë ligj. Si do të veprohet për këtë, do të zbatojmë këtë ligj apo Kodin e Procedurës Penale? Ligji prek në masë të gjerë çdo qytetar të republikës së Shqipërisë. Është katastrofike të mendosh që ndërkohë që gjithë shtet e tjera rrisin standardet, ne e ulim. Këto janë çmenduria. Ne kemi ligje shumë të mira për të luftuar korrupsionin por ne nuk kemi vullnetin për ti zbatuar ato, nuk kemi nevojë për ligje të posaçme sepse i kemi”,-tha në ”AbcNews”.
Deklarata e plotë
Ky ligj ka problematika të ndryshme. Ata që e kanë bërë, nuk kanë patur minimumin e idesë së legjislacionit. Këtu i jepet e drejta Policisë së Shtetit të përgjojë sipas qejfit, ndërkohë ligji thotë se përgjimet kryhen me vendim gjykate. Nëse dikush do të tentonte të bënte këtë ligj diku tjetër do të tërhiqej zvarrë, ky ligj është në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare.
Me miratimin e këtij ligji duke i çuar gjithë të drejtat Policisë së Shtetit, kthehemi në një shtet policor. Unë dua ti drejtoj një pyetje zotërinjve që e kanë bërë këtë ligj. Si do të veprohet për këtë, do të zbatojmë këtë ligj apo Kodin e Procedurës Penale? Ligji prek në masë të gjerë çdo qytetar të republikës së Shqipërisë. Është katastrofike të mendosh që ndërkohë që gjithë shtet e tjera rrisin standardet, ne e ulim. Këto janë çmenduria. Ne kemi ligje shumë të mira për të luftuar korrupsionin, por ne nuk kemi vullnetin për ti zbatuar ato, nuk kemi nevojë për ligje të posaçme sepse i kemi.
Me këtë ligj praktikisht ne i themi prokurorisë dhe gjykatës “hapni krahun” se këto kompetenca i takojnë policisë. Gjithashtu ky ligj mundohet të dublojë SPAK-un. Njerëzit që e kanë këshilluar zotin Rama për këtë ligj ose janë të paaftë ose e kanë keq-informuar.
Për mendimin tim ky ligj nuk do të hyjë kurrë në fuqi, sepse për ta bërë këtë duhet fillimisht njoftuar Këshilli i Europës për derogimin e ligjit, dhe derogimi i ligjit, bëhet në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme të vendit. Nuk ka nevojë të jesh jurist i zoti për të kuptuar se mospërputhjet janë të dukshme. Më tragjike se kaq nuk mund të ketë. Bie ndesh masivisht komplet Kreu i të Drejtëve të Njeriut.