Antidroga italiane: 2014, nga Shqipëria u sekuestruan 6 ton marijuanë

Drejtoria Qendore e Antidrogës Italiane ka prezantuar në parlamentin Italian, raportin vjetor mbi situatën e trafikimit, përhapjes dhe varësisë ndaj drogës në Itali.

Ky raport bazohet në të dhënat statistikore të publikuara pak kohë më parë nga Ministria e Brendshme Italiane mbi operacionet antidrogë e sekuestrimin e lëndëve narkotike në të gjithë territorin italian, si dhe në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë e Institutit Kombëtar të statistikave.

Sipas këtij raporti, Italia e vitit 2015 fotografohet si një vend ku është rritur konsumimi i hashashit, marijuanës e heroinës dhe është ulur përdorimi i kokainës duke shënuar në krahasim me një vit më parë më pak viktima nga abuzimi i lëndëve narkotike.

Mbi bazën e operacioneve të kryera nga Policia Italiane, gjatë vitit 2014 janë sekuestruar përgjithësisht mbi 152 mijë kg lëndë narkotike.

Prej tyre mbi 113 mijë kg janë hashash duke shënuar një rritje me 211 % në krahasim me një vit më parë; mbi 33 mijë kg janë marijuanë me një rritje prej 15. 9%, mbi 933 kg heroinë me rreth 5.3% rritje e amfitamina në doza në rritje prej 25 %.

Sipas Raportit të Qendrës së Politikave Antidrogë, grupet kriminale më të fuqishme në trafikimin e lëndëve narkotike në Itali janë:

1- Për trafikimin e kokainës; Mafia kalabreze Ndragheta , Mafia napoletane Camorra, organizatat kriminale ballkanike e Amerikano Jugore.

2- Për trafikimin e heroinës; organizatat kriminale të rajonit të Kampanjës, Puglias në bashkëpunim të ngushtë me organizatat kriminale Shqiptare e ballkanike.

3- Për trafikimin e derivateve të bimës së kanabisit janë grupet kriminale të rajonit të Lacios, Sicilisë, Puglias së bashku me grupet shqiptare, spanjolle e Afrikano Veriore.

Rruga kryesore e trafikut te marijuanës nga Shqipëria e Greqia

Ky raport thekson se për trafikimin e marijuanës në Itali rrugët kryesore janë Shqipëria e Greqia. Operacionet e Policisë Italine kanë bërë që gjatë vitit 2014 në Itali të sekuestrohen mbi 6 mijë kg marijuanë nga Shqipëria e 650 kg marijuanë e ardhur nga Greqia.

Ndërsa heroina e tregtuar në Itali është e prodhimit afgan e trafikohet nga Turqia përmes Ballkanit. Po sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme Italiane, shumica e heroinës është sekuestruar në Itali në pikat e porteve me prejardhje kryesore nga Greqia e Shqipëria.

Shqipëria e para në listën e shteteve për arrestimet

Përsa i përket numrit të personave të denoncuar ose të arrestuar nga Policia Italiane për trafikun e lëndëve narkotike Shqipëria renditet në vendin e parë duke lënë pas Marokun e Tunizinë.

Italia për shkak të pozitës së saj gjeografike, vendndodhjes në Mesdhe me rreth 8 mijë km brigje rreth e qark është sot një nga hyrjet kryesore të trafikut të drogës drejt Europës.

Italia tregu i parë në botë për konsumin e heroinës 

Italia konfirmohet tregu i parë në botë për konsumin e heroinës e i dyti në konsumin e kokainës pas Amerikës së Veriut.

Këtij fakti i rëndon dhe prania e fuqishme e organizatave kriminale me lidhje e degë jashtë kufijve italiane, me një dominim absolut të territorit që i lejon administrimin e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike duke mbajtur nën kontroll tregun e brendshëm.

Konsumi i lëndëve narkotike në Itali është me rreth 12.7 miliardë euro, gjysma e të cilës i përket konsumit të kokainës e 1/4 konsumit të derivateve të kanabisit.

Raporti vjetor i Drejtorisë Antidrogë prezantuar së fundmi në Parlamentin Italian konfirmon të paktën një të dhënë pozitive se numri i viktimave nga përdorimi abuziv i drogës është ulur me 10.32%.

SHKARKO APP