Antikontrabanda/ Arrestohen 1 doganier e 3 punonjës të Policisë Kufitare. Policia publikon skemën
Policia e Shtetit njofton se ka arrestuar në flagrancë 5 shtetas nga të cilët 1 doganier, 3 punonjës të Policisë Kufitare, 1 shtetas, si edhe shpallen në kërkim 7 të tjerë si dhe ka sekuestruar sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara kontrabandë (konfeksione dhe goma mjetesh të përdorura).
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Sektorin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Korçë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Gorica”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të kontrabandimit me konfeksione dhe mallra të ndaluar, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Sh.D., 35 vjeç, banues në Korçë, me detyrë doganier pranë Doganës së Goricë, Y.Rr., 53 vjeç, banues në Tiranë, punonjës policie me detyrë përgjegjës turni, B.H., 54 vjeç, banues në Korçë, punonjës policie me detyrë kontrollor, J.K., 51 vjeç, banues në fshatin Kallamas, Pustec, punonjës policie me detyrë trup shërbimi, pranë Pikës së Kalimit Kufitar Goricë, A.H., 58 vjeç, banues në Korçë. Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit: M.K., 35 vjeç, banues në Bilisht; N.S., 44 vjeç, banues në Liqenas; A.H., 42 vjeç; E.Z., 44 vjeç; A.P., 37 vjeç; Dh.K., 23 vjeç; M.Xh., 35 vjeç, banues në Korçë” njofton Policia.
Sipas policisë, punonjësi i Doganës (shtetasi Sh.D.,) në bashkëpunim me punonjësit e policisë dhe shtetasit e lartpërmendur, kanë lejuar kalimin e 4 mjeteve tip kamion të ngarkuar me mallra të dyshuara kontrabandë konfeksione dhe goma automjetesh të përdorura, nga Pika e Kalimit Kufitar Goricë në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke shmangur detyrimet doganore dhe falsifikuar të dhënat e mjeteve në dokumentacionet e tyre dhe në Sistemin Tims, ku 2 nga këto mjete u gjetën dhe bllokuan në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen e personave të shpallur në kërkim, si edhe gjetjen dhe bllokimin e 2 mjeteve të tjera.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kontrabandë me mallra të ndaluar”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”.