Anuela Ristani mes 10 grave që po ndryshojnë qytetet, vlerësohet krahas kryebashkiakeve të Parisit, Bogotasë dhe Montrealit
Libri “Women Changing Cities” evidenton Tiranën si shembull të zhvillimit urban të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës dhe aktualisht Kryetare e deleguar e institucionit, Anuela Ristani, është përfshirë mes 10 grave lidere në botë që po japin kontribut të rëndësishëm në transformimin e qyteteve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës urbane.
Vlerësimi vjen në librin “Women Changing Cities”, të autorëve Melissa dhe Chris Bruntlett, një botim që sjell historitë e grave kryetare bashkish, drejtuese publike, sipërmarrëse dhe aktiviste që po udhëheqin modele të reja zhvillimi urban në qytete të ndryshme të botës.
Në artikullin prezantues të librit, Ristani renditet krahas emrave të rëndësishëm të politikës dhe qeverisjes urbane ndërkombëtare, si Anne Hidalgo, Kryetare e Bashkisë së Parisit; Claudia López Hernández, ish-Kryetare e Bashkisë së Bogotasë dhe kryebashkiakja e parë grua e këtij qyteti; si dhe Valérie Plante, Kryetare e Bashkisë së Montrealit.
Përfshirja e Ristanit në këtë listë konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm jo vetëm për angazhimin e saj në qeverisjen vendore, por edhe për pozicionimin e Tiranës në hartën e qyteteve që po promovojnë zhvillim urban më të qëndrueshëm, më të gjelbër dhe më miqësor për komunitetin.
Në libër, autorët vlerësojnë rolin e Anuela Ristanit në proceset e transformimit urban të Tiranës, duke veçuar kontributin e saj në politikat e zhvillimit të qëndrueshëm, në hartimin dhe zbatimin e Green City Action Plan, si dhe në nisma që synojnë ta bëjnë kryeqytetin më të sigurt, më të aksesueshëm dhe më miqësor për fëmijët dhe familjet.
“Anuela Ristani shërben si Nënkryetare e Bashkisë së Tiranës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, duke mbajtur një pozicion që lidh angazhimin e Tiranës me rrjetet globale dhe transformimin e saj të brendshëm urban. Ajo iu bashkua Bashkisë së Tiranës në vitin 2015 si Shefe Kabineti e Kryetarit Erion Veliaj dhe u emërua Nënkryetare pas rizgjedhjes së tij në vitin 2019”, thuhet në librin “Women Changing Cities”.
Autorët theksojnë gjithashtu se Ristani ka mbështetur dhe promovuar strategji të lidhura me reziliencën urbane, qëndrueshmërinë mjedisore dhe barazinë sociale, duke e paraqitur Tiranën si një kryeqytet ballkanik që po ndërton një profil gjithnjë e më të qartë në politikat e zhvillimit të gjelbër.
Sipas librit, qasja e saj në qeverisjen vendore është ndikuar edhe nga eksperienca e mëparshme në politikat rinore dhe bashkëpunimin rajonal. Përpara angazhimit në Bashkinë e Tiranës, Ristani themeloi Shërbimin Kombëtar të Rinisë dhe bashkëthemeloi RYCO – Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor, një mekanizëm që bashkon gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim të fokusuar te të rinjtë.
Në vlerësimin e autorëve, Ristani përfaqëson një shembull se si qytetet në demokracitë në zhvillim mund të ndërtojnë lidhje të forta ndërkombëtare, duke adresuar njëkohësisht sfidat lokale të qëndrueshmërisë, klimës dhe përfshirjes sociale.
Përfshirja e saj në këtë botim ndërkombëtar e vendos Tiranën në një diskutim më të gjerë global mbi të ardhmen e qyteteve dhe rolin që gratë lidere po luajnë në transformimin e tyre. Libri evidenton se gratë në pozicione drejtuese po sjellin modele më gjithëpërfshirëse të qeverisjes urbane, ku në qendër janë cilësia e jetës, transporti i qëndrueshëm, hapësirat publike, siguria dhe kujdesi për komunitetin.
Në këtë kontekst, renditja e Anuela Ristanit krahas figurave të njohura ndërkombëtare si Hidalgo, López Hernández dhe Plante përbën një vlerësim të rëndësishëm për punën e saj dhe për rolin e Tiranës si qytet që synon të konsolidojë një model zhvillimi më të gjelbër, më social dhe më të jetueshëm.
KOHA JONË SONDAZH

