Apeli amerikan dhe i Presidentit Meta: Mos prekni votën! Mos votoni kriminelët!
Nisja e fushatës elektorale ka vënë në lëvizje ndërkombëtarët për të monitoruar mbajtjen e zgjedhjeve me standarde dhe garantimin e votës. Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka zhvilluar dje një sërë takimesh me drejtues të institucioneve ndërkombëtare që do të vëzhgojnë zgjedhjet. Diplomatja e SHBA është takuar dje me drejtuesen e misionit të OSBE për zgjedhjet e 25 prillit në Tiranë, Urszula Gacek. Diplomatja Kim ka bërë të ditur se në procesin e 25 prillit, veç vëzhguesve të OSBE në shumë zona të vendit do të jenë dhe vëzhgues të Ambasadës Amerikane. Në rolin e vëzhguesit në këto zgjedhje do të jetë dhe vetë ambasadorja e SHBA. “Diskutuam me Ambasadoren Urszula Gacek, kryetare e OSBE për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri përgatitjet për zgjedhjet 25 prillit. SHBA mbështet këtë mision të rëndësishëm, përfshirë edhe vëzhguesit kontribues. Ambasada Amerikane gjithashtu do të dërgojë ekipin tonë (duke përfshirë edhe mua) në vende përreth vendit”,- shkruan Yuri Kim në një postim në Facebook. Pas takimeve me vëzhguesit e huaj, ambasadorja e SHBA ka bërë një mesazh të fortë dhe për votuesit shqiptar. “Mos e shit të drejtën tënde. Mos ia dorëzoni fuqinë tuaj kriminelëve. Vetëm TI duhet të zgjedhësh të ardhmen tënde”,- shkruan ambasadorja e SHBA në një postim në rrjetet sociale, teksa u bën thirrje që të denoncojnë çdo rast të shitblerjes së votës. Mesazhi i ambasadorëve vjen në kohën që partitë kanë nisur fushatën dhe listat e kandidatëve janë mbyllur. Deklarata për të mos ua dorëzuar fuqinë politike kriminelëve, nënkupton se për SHBA në këto zgjedhje, në listat e kandidatëve ka kriminelë dhe persona me precedentë të rrezikshëm penalë. Ashtu sikurse nënkupton se nuk duhet të shesin votën askujt. Dihet se Rilindja ka dhënë prova të dokumentuara për blerje votash me bandat kriminale. Pra mesazhi amerikan shkon për të gjitha partitë, por veçanërisht për pushtetin. Qëndrimet e Yuri Kim tregojnë se angazhimi i Ambasadës dhe SHBA në këto zgjedhje do të ketë karakterin e një misioni special. Janë të paktën dy raste publike, kur kryeministri Edi Rama ka dalë hapur kundër SHBA lidhur me zgjedhjet dhe tashmë SHBA ka vendosur që të ketë në monitorim gjithë mënyrën sesi qeveria do të sillet në këtë proces. Përplasja e parë e kryeministri Edi Rama me SHBA ishte ndryshimi i njëanshëm i Kodit Zgjedhor dhe rrëzimi i marrëveshjes së 4 qershorit mes PS dhe opozitës jashtëparlamentare. Megjithë thirrjet për të mos ndërmarrë veprime të njëanshme, kryeministri miratoi një Kod Zgjedhor të njëanshëm me synimin për të fituar zgjedhjet në tavolinë. Pas këtij konflikti, kryeministri Edi Rama u përfshi në një debat të hapur me ambasadoren e SHBA për futjen e personave me precedentë penalë në listat e kandidatëve. Megjithë thirrjet e përsëritura për të larguar emra të caktuar nga kandidimi, kryeministri përdori truke ligjore duke ju shmangur përgjegjësisë përballë kërkesës së SHBA. Ndërkohë veç tentativave për kundërshtuar ndërkombëtarët për zgjedhjet, janë dhe lëvizjet e fundit të Edi Ramës në politikën e jashtme që kanë alarmuar amerikanët. Raportet e vasalitetit me Turqinë, loja me vaksinat ruse duke i rënë nga Arabia Saudite për në Pekin dhe kontrata me kompaninë kineze për të ngritur një fabrikë barnash në Shqipëri, janë çështje që nuk kanë kaluar pa vëmendje lidhur me orientimin strategjik të Shqipërisë. Të gjitha këto lëvizje kanë ngritur alarmin jo vetëm te SHBA, por dhe BE, lidhur me modelin qeverisës të Edi Ramës. Pasi Rilindja ka mashtruar disa herë ndërkombëtarët për paktet e politikës së brendshme dhe pasi po ndryshon orientimin e politikës së jashtme, askush në Uashington dhe Bruksel nuk beson se kjo qeveri ka vullnetin për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj dhe misionet e vëzhgimit ndërkombëtar do të jenë më të pranishme se kurrë gjatë fushatës dhe më 25 prill. Ndërkohë që thirrjet publike drejtuar qytetarëve që të mos shesin votën dhe të mos votojnë kriminelët, pavarësisht paanshmërisë diplomatike duke qartë se kanë vetëm një adresë, Rilindjen! Nga ana e tij Presidenti Republikës Meta kërkon që qytetarët ta kthejnë 25 prillin si Referendum Popullor kundër mafies, oligarkëve dhe kundër varfërisë. Ai ka deklaruar se kushdo prek votën do marrë ndëshkim shembullor publik e ligjor.
Mili Xhani