Apeli e lë në burg, Agim Kajmaku në arrati

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, lë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku. I shpallur në kërkim tashmë me vendim gjykate, Agim Kajmaku është nën akuzë për tri vepra penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i formularëve” dhe “Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”. Policia e Shtetit ka nisur verifikim pasuror për pastrim parash për ish-kryebashkiakun e Vorës. Blutë me anë të një kërkesë, i janë drejtuar bankave të nivelit të dytë për llogaritë e tij bankare.

Një tjetër kërkesë i është dërguar dhe hipotekës për të verifikuar pasuritë e paluajtshme dhe biznesin e tij. Ndërkohë prokuroria e Tiranës me anë të një shkrese dërguar dhomës së noterëve, kërkon që të njoftohet policia dhe organi i akuzës nëse Kajmaku paraqitet për prokurë. Sipas prokurorisë nëse noterët nuk njoftojnë autoritetet në rast të paraqitjes së tij, do të mbajnë përgjegjësi.

Agim Kajmaku vijon të jetë në kërkim nga Policia e Shtetit që prej datës 9 Nëntor me akuzën e falsifikimit, ndërkohë kanë dështuar më shumë se 10 operacione për kapjen e tij. Për këtë arsye Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme ka nisur verifikimin ndaj punonjësve të policisë pasi ka dyshime për dekonspirim të operacionit për ndalimin e tij.

Policia ka marrë në 9 nëntor kërkesën nga gjykata për arrestimin e tij, ndërsa me masën e sigurisë janë njohur 7 persona njëherësh të cilët dyshohet se kanë dekonspiruar policinë. Në sitën e hetimeve po kalojnë edhe punonjës të sekretariatit teknik në të tri institucionet, përveç policisë, edhe për personat që kanë pasur dijeni në prokurori e gjykatë. Referuar të dhënave të sistemit TIMS, mësohet se ish kryebashkiaku nuk rezulton të ketë dalë jashtë territorit shqiptar.

SHKARKO APP