Apeli i doktorit nga Vjena: Shpëtoni pacientë. Kryesorja ruani mjekët nga koronavirusi
Doktor Arben Kuçana me banim dhe punesim në Vjenë si kirurg i përgjithshëm i bën thirrije qytetarëve të respektojnë me seriozitet të gjitha masat shtrënguese dhe këshillat pasi është e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga kjo pandemi.
Në një lidhje me skype per Ora News, mjeku Kuçana nënvizon dhe rëndësinë e kujdesit për mjekët që të mos infektohen sidomos në Shqipëri ku numri i specialistëve është i pakët.
“Çdo rënie e një ekipi mjekësh dhe infermierësh krijon një boshllëk të pambushur. Ata duhet të mbrojnë veten. Është shumë e rëndësishme për të gjithë mjekët, sidomos ata shqiptarë, sepse numri i mjekëve shqiptarë specialistë për këtë punë është minimal. Numri i anestezistëve, infektologëve nuk është aq i madh sa për të përballuar një situatë që mund të dalë nga dora.
Qëllim kryesor sigurisht është ndihmesa e pacientëve por së pari të mos infektohen mjekët, nga i pari deri në fund, sepse secili prej atyre përbën një hallkë. Të mos flasim që rrezikun që mund të kenë për humbje jete nga kjo sëmundje, mjafton vetëkarantimi 2- 3 javë dhe krijon një boshllëk.”
Mjeku i njohur bën apel dhe për kujdes pasi jo vertëm pakësohen shanset për jetën për një pacient që përfundon në frymëmarrje të intubuar, por dhe përbën një kosto të madhe financiare.
“Po arriti pacienti në frymëmarrjen e intubuar shpresat janë minimale, por veç kësaj ju duhet të dini kostot e mëdha financiare që krijohen. Një pacient kushton 100 mijë euro për ato ditë që rri atje, dhe në fund fare çedon, por në Europë kurrë nuk e kemi pranuar eutanazinë, nuk do të gjeni kurrë sistem mjekësor që të marrë një vendim të fikë aparatin. Do luftojë deri në minutën e fundit për fatlumët. “
Sa i rëndësishëm është mjeku i familjes në këto momente
“Do të ishte shumë i rëndësishëm për të bërë filtrin ndërmjet pacientit dhe institucioneve të specializuara. Mjeku i familjes do duhej të bënte atë që sot ndoshta po e bëjnë telefonatat me njerëz që nuk e kanë ende atë eksperienë. Mjeku i familjes do të vendoste nëse një person është për të shkuar në spital apo jo. Do të filtronte 80% të pacientëve dhe do i jepte frymë shumë të madhe spitaleve të cilat do të kujdeseshin për pacientët që e kanë të nevojshme.”